Maqedoni

Sallat sportive, Lutfiu inspekton sallën në Studeniçan

26.10.2016 14:29

Komuna e Studeniçanit deri në fund të vitit të ardhshëm do të ketë sallë të re të sportit...

Ndërtimi i saj është paraparë në projektin e MASh-it për ndërtimin e 145 sallave të reja të sportit në të gjithë vendit.
 
Ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu, gjatë inspektimit të punimeve në sallën sportive të Shkollës “Naim Frashri” tha se MASh ka si qëllim kryesor aktivizimin e të rinjve në veprimtaritë sportive.
 
“Ndërtimi i sallës në Studeniçan kap vlerën prej mbi 40 milion denarë dhe është me madhësi prej 1300 metra katrorë dhe i takon tipit B, ose modelit që do të thotë se do të jetë me tribunë dhe ulëse. Qëllimi i ndërtimit të këtyre sallave është ngritja e vetëdijes dhe aktivizimi i rinisë nëpër aktivitetet sportive. Ne mendojmë se Studeniçani ka kapacitete të ofrojë sportistë të rinj jo vetëm të mundjes, por edhe në fusha tjera të sportit, siç është futbolli, basketbolli dhe hendbolli”,- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu.
 
Sipas këtij projekti, deri tani janë ndërtuar rreth 57 salla sportive, prej tyre 25 në shkollat e mesme dhe 32 në shkollat fillore, ndërsa në fazën përfundimtare që priten të lëshohen në përdorim janë edhe sallat në Tetovë dhe Gostivar, tha Lutfiu.  
 
REXHEP QAMILI