Maqedoni

UNHCR: Afro 4 mijë refugjatë të vdekur këtë vit

26.10.2016 15:32

Ky vit mund të jetë edhe më vdekjeprurës për refugjatët të cilët kalojnë nëpërmjet Mesdheut...

Alarmi jepet nga UNHCR, sipas të cilës të paktën 3740 refugjatë kanë humbur jetën vetëm në dhjetë muajt e parë të 2016. Por, numri mund të shtohet edhe më shumë deri në fund të vitit, teksa anije të reja çdo ditë enden në det.
 
Numri i vdekjeve të refugjatëve është më i madh sivjet edhe përkundër zvogëlimit të numrit të refugjatëve që largohen drejt një jete më të mirë. 1.015.078 persona u regjistruan në 2015 si refugjatë, teksa sivjet janë regjistruar rreth 327.800 refugjatë që kaluan Mesdheun drejt një jete më të mirë. 
 
“Kontrabandistët shpesh përdorin anije të cilësive të ulëta, barka të cilat nuk mund t’i mbijetojnë udhëtimit gjatë motit të keq. Ato mbingarkohen. Kontrabanda është bërë një biznes i madh gati në shkallë industriale. Ata lëshojnë më shumë anije në të njëjtën kohë sa që i vendosin shërbimet e shpëtimit në vështirësi për t’u përballur me fluksin e refugjatëve në numër të madh dhe në shumë mjete lundruese”,- deklaroi zëdhënësi i UNHCR-it, William Spindler. 
 
Mesdheu është rruga më e rrezikshme. Në çdo 47 persona një vdes gjatë këtij udhëtimi. Por, është edhe rruga më e shfrytëzuar. Pothuajse gjysma e refugjatëve ilegalë kalojnë përmes Mesdheut. Vetëm sot atje u shpëtuan 342 emigrantë, duke përfshirë gra dhe fëmijë të cilët vijnë nga Nigeria, Pakistani, Libia dhe Siria. 
 
"Tani është shumë e vështirë të jetosh në Libi, atje rrëmbehen njerëzit, rrihen shumë keq dhe janë shumë të dhunshëm. Kjo është arsyeja pse iu drejtuam Italisë”,- theksoi Manzar Sulejman.
 
Rojet bregdetare të Italisë kanë koordinuar më shumë se 6000 aktivistë e ushtarë,  të cilët kanë shpëtuar rreth 155 000 refugjatë gjatë vitit 2015. 
 
LEUNORA KALIQI