Maqedoni

31 tetori po afron, “Jugohrom” ende asnjë lëvizje për filtrat

26.10.2016 16:11

Edhe pse kombinatit “Jugohrom” më 31 tetor i skadon afati për vënien e filtrave, qytetarët janë skeptikë se ndotësi më i madh i ajrit do të vendosë më në fund filtrat apo se do të ndërpresë punën...

Nuk është hera e parë që “Jugohrom” shkel afatet, thonë ata. Po ashtu nuk është hera e parë që qeveria nuk e mbyll kombinatin, por i jep afat të ri shtesë. 
 
“Ajri i ndotur na pengon të gjithëve, si fëmijëve, si pleqve, të gjithëve na pengon”,- theksoi një banor.
 
“Një qytet kaq i madh si Tetova, me dy universitete dhe me kaq banorë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, besoj se ndotja e ajrit është diçka shumë e rëndë për shëndetin. Edhe përkundër protestave që janë bërë, edhe me i dhënë 10 vjet, apo 20 vjet, mendoj se nuk do ndryshojë situata”,- u shpreh një banor.
 
“Ndotja e ajrit është më e madhe se në çdo vend, siç edhe po del çdo ditë në televizor. Është puna se nuk dilet në mbrëmje fare, duhet me i mbyllur dritaret të gjitha, në vend se të ajrosesh... Kjo punë është problem dhe bëhen këto muhabete dhe saktë asgjë dhe s’do ketë ende, fajtor janë gjithë ata në parlament”,- u shpreh një banor.
 
Edhe nga  “Eko Guerilla” janë pesimistë se “Jugohrom” do të respektojë ligjin. Ata frikësohen se “Jugohrimit” do t’i jepet afat shtesë, por i apelojnë qeverisë të mos ndërmerr një hap të tillë, por nëse kombionati nuk respekton ligjin, ta mbyllë deri në vendosjen e filtrave. 
 
“1 nëntori është dita kur sipas ligjit dhe vendimit që qeveria mori para dy vitesh, “Jugohrom” duhet të mbyllet. Se a do mbyllet varet nga serioziteti i qeverisë... Ata me siguri do kërkojnë afat shtesë, si kanë kërkuar edhe më herët, dhe çdoherë i është dhënë. Periudha parazgjedhore mund t’i shërbente në mospërkujdesje serioze të qytetarëve, ndoshta qeverisë do t’i shërbente edhe për fushatë parazgjedhore, por të mbyllte sa për t’i fituar zgjedhet, por ne nuk do ta pranojmë një zgjidhje të atillë. Ne kërkojmë që “Jugohrom” të mbyllet deri në vendosjen e filtrave”,- theksoi Arianit Xhaferi nga “Eko Guerilla”.
 
Tashmë që dimri erdhi, ndotja e ajrit është tepër e dukshme në të gjithë rajonin e Pollogut. Edhe pse autoritetet thonë se shkak i ndotjes nuk është vetëm “Jugohromi”, qytetarët kërkojnë më shumë përgjegjësi dhe kërkojnë të mbyllet kombinati që u rrezikon çdo ditë jetën. 
 
VISAR SADIKI