Mali i Zi, Gjukanoviç jep dorëheqje pas 25 vitesh në pushtet

26.10.2016 16:38

Kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç, jep dorëheqje pas 25 vitesh qëndrimi të pasfiduar në pushtet....

Kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç, jep dorëheqje pas 25 vitesh qëndrimi të pasfiduar në pushtet.

Largohet kështu njeriu që drejtoi vendin e tij drejtë pavarësisë dhe që sapo kishte fituar zgjedhjet e fundit. Kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve, që fitoi zgjedhjet në Malin e Zi, caktoi si mandatar për formimin e qeverisë së ardhshme zëvendëskryetarin, Dushko Markoviç.

Dorëheqja erdhi pasi Gjukanoviç shprehu dyshimin se Rusia ishte e përfshirë në puçin e ditës së zgjedhjeve dhe akuzoi opozitën për bashkëpunim me Kremlinin.

Gjukanoviç tha se në votimet e 16 tetorit kishte një “lidhje të fuqishme me një faktor të jashtëm”, që rezultoi më pas edhe me arrestimin e 20 personave të dyshuar për planifikim të sulmeve të armatosura ndaj Gjukanoviç dhe mbështetësve të tij, pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare. Në mesin e të arrestuarve në puç ishte edhe ish komandanti i forcave speciale të Serbisë.

Gjukanoviç tha se autoritetet do të hetojnë shkallën e përfshirjes në puçin e pretenduar të Rusisë dhe të Serbisë.

“Ne do të gjejmë fakte, por nuk duhet të ketë panik”, ka thënë Gjukanoviç.

Zyra e prokurorit të Malit të Zi pretendon se grupi i arrestuar kishte  planifikuar të sulmojë qytetarët përballë Parlamentit pasi të shpalleshin rezultatet e zgjedhjeve dhe pastaj të hyjë në ndërtesë dhe ta arrestojë Gjukanoviçin.

Rusia ka kundërshtuar fuqishëm përpjekjet e Gjukanoviçit që t’i bashkohet NATO-s dhe Bashkimit Europian, ndërkohë që liderët opozitarë kanë zhvilluar vizita të shpeshta në Moskë në prag të votimeve. Sidoqoftë, largimi i Gjukanoviçit nga pushteti s’është asgjë e re, pasi ai e ka bërë këtë edhe dy herë në të shkuarën.

Por, është kthyer sërish, sepse, siç ka thënë vet, ishte e nevojshme politikisht. Këtë herë flitet se ai do të lërë të gjitha rolet shtetërore, por ka pasur opinione brenda partisë se mund të kandidojë si president në vitin 2018. Gjukanoviç, tashmë 54-vjeçar, ka qenë në pushtet si kryeministër apo president që prej vitit 1991, kur ishte vetëm 29 vjeç. (Gyltene Sinani, TVM2)