Maqedoni

Zgjedhjet 2016 në “Argument”, debat i nxehtë BDI-PDSh

26.10.2016 17:16

Edhe përkundër iniciativës së “Unitetit” për të kontestuar kushtetutshmërinë e shpalljes së zgjedhjeve të 11 dhjetorit, partitë vazhdojnë aktivitetet dhe bëhen gati për zgjedhje...

BDI dhe PDSh kanë shpalosur shkurtimisht platformat e tyre në kuadër të debatit në emisionin “Argument” në TVM2.
 
Bekim Neziri nga BDI tha se platforma që do t’u prezantohet qytetarëve fokusohet në vazhdimin e trendit të zhvillimit të ekonomisë dhe rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e vendit. 
 
“Kemi edhe tre zona ekonomike në vendet shqiptare nga 14 zona ekonomike të cilat funksionojnë, Kërçovë, Tetovë dhe Strugë. Kemi vendim për hapjen e zonës katër, e cila ka kaluar në qeveri. Janë të siguruara mjetet në buxhetin e viti 2017, Zona Ekonomike Likovë- Kumanovë. Nëse doni tua tregoj kompanitë, tua them edhe emrat. Në zonën në Tetovë mund të kaloni dhe të shihni kompaninë “Leat”, janë të punësuar 1 mijë persona, pritet që deri në vitin 2017 të rritet numri deri në tre mijë”,- deklaroi kryetari i Shtabit zgjedhor të BDI-së, Bekim Neziri.
 
Por, edhe përkundër pohimeve të BDI-së, Azem Sadiku nga PDSh thotë se asnjë kapacitet ekonomik nuk është orientuar në vendbanimet shqiptare dhe qytetarët po ikin nga vendi si kurrë më parë. Sipas tij, PDSh do të angazhohet për buxhet proporcional për të tejkaluar pabarazinë ekonomike dhe sociale. 
 
“Realiteti e dini si është tek shqiptarët, papunësia është në maksimum. Asnjë kapacitet ekonomik nuk është orientuar në ndonjë vendbanim shqiptar që ta zbusë papunësinë. Kohën e fundit shqiptarët ikin në Islandë me familje të tëra. A e dini se për çfarë programi arsimor flisni ju kur nuk keni arritur që një abetare të unifikuar ta siguroni për shqiptarët”,- u shpreh kryetari i Shtabit zgjedhor të PDSh-së, Azem Sadiku.
 
Edhe profesori universitar, Hasan Jashari, ka vërejtje në zhvillimin e pabarabartë mes komunave shqiptare dhe atyre maqedonase.
 
“Ta marrësh Çairin edhe Aerodromin p.sh.. Atje ndërtojnë diznilende, çfarë s’bëjnë, kryqe, mileniume dhe gjëra tjera, dhe nga ana tjetër kemi një popullsi që jeton në mjerim dhe ashtu është edhe në lagjet tjera në komunat shqiptare”,- theksoi profesori universitar, Hasan Jashari.
 
Sipas gazetarit, Blerim Hyseni, platformat e dy partive nuk dallojnë shumë, por ai u propozon subjekteve politike shqiptare që në fokus të kenë votuesin shqiptar.
 
“Kur dëgjon përfaqësuesit politik shqiptarë, e kamuflojnë aq shumë prezantimin e platformave politike, sa që tek qytetarët që na ndjekin nëpërmjet ekranit shkaktohet një huti. Mendoj se kësaj here partitë shqiptare duhet të kenë një prioritet tjetër për shkak të aktiviteteve të LSDM-së, e cila me ngulm kësaj here shpreson të fitojë zgjedhjet në llogari të votuesit shqiptar”,- tha gazetari, Blerim Hyseni.
 
Por, përfaqësuesit e dy partive nuk vlerësojnë se vota shqiptare mund të shkojë në kampin tjetër politik. Ata janë të bindur se votuesi shqiptar do të përcaktohet për partinë që më mirë di të përfaqësojë interesat e shqiptarëve në qeverinë e ardhshme.
 
Gjithsesi, ishin të bindur se përçarja e votës mund të ndikojë në uljen e përfaqësimit të shqiptarëve në kuvend, njëjtë si ndodhi edhe në Mal të Zi në zgjedhjet e fundit. 
 
MERAL ISMAILI