Maqedoni
Përplasjet mes prokurorive, Pollozhani: Pritej, Zvërlevski ndjehet i ofenduar
26.10.2016 17:48
Përplasjet mes Prokurorisë Themelore Publike dhe Prokurorisë Speciale për profesorin universitar, Bajram Pollozhani...

Përplasjet mes Prokurorisë Themelore Publike dhe Prokurorisë Speciale për profesorin universitar, Bajram Pollozhani, ishin të pritshme, pasi që Prokuroria e drejtuar nga Marko Zvrlevski ndjehet e ofenduar nga mënyra se si PSP ushtron funksionet e veta.
Dolën me akuza për keqpërdorim të pozitës, kodeksit, mungesës së profesionalizmit që devalvojnë efektet e punës së kësaj Prokurorie, por edhe të ngulfasin përpjekjet e saj të mëtutjeshme, vlerëson Pollozhani.
“Vetvetiu kur keni ju institucione normale të rregullta, siç janë gjykatat, prokuroritë shtetërore, dhe ndërkohë për shkak të arsyeve madhore të krizave të mëdha në institucione të veçanta ad hok, automatikisht aty prekte sedra e institucioneve ekzistuese si të përhershme. Vihet në dyshim besimi në punën e tyre, se sikur ata institucione ta kishin kryer punën si duhet në pajtim me kushtetutën dhe ligjin pa me qenë të implikuar në ndikimet partiake, atëherë nuk do të kishte ardhur deri te nevoja e krijimit të institucioneve të veçanta aq më tepër kur ndërkohë kërkohet procedimi edhe në ndonjë gjyqësor special”,- deklaroi profesori universitar, Bajram Pollozhani.
Për analistin politik, Petar Arsovski, edhe përkundër deklarimeve paraprake, pengesat filluan në momentin kur PSP filloi të punojë me intensitet të plotë.
"Si filloi PSP me më shumë aktivitete, janë shtuar reagimet e atyre që janë në një farë mënyre të prekur nga puna e Prokurorisë Speciale. Në fund të fundit, kjo Prokurori Publike e veçantë u formua për shkak të qëndrimit joadekuat të Prokurorisë Themelore Publike ndaj disa lëndëve të caktuara”,- theksoi analisti politik, Petar Arsovski.
Pengesat do të fillojnë të shpeshtohen, thotë Arsovski, sepse PSP mund të zbardh të gjitha të dhënat lidhur me përgjimet e paligjshme.
SANIJE DURAKU
