Zgjedhjet e dhjetorit, Timonie: Marrëveshja hapi i parë, ju presin reforma; Ademi: Mundemi të organizojmë zgjedhje të besueshme

26.10.2016 18:11

Ambasadori francez në Maqedoni, Kristian Timonie, pret që zgjedhjet e 11 dhjetorit....

Ambasadori francez në Maqedoni, Kristian Timonie, pret që zgjedhjet e 11 dhjetorit të mbahen në kushte të mira, rezultatet e të cilave do t’i mundësojnë Maqedonisë që përsëri të hapërojë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Ai theksoi se liderët e katër partive politike kanë bërë një hap të guximshëm duke e nënshkruar marrëveshjen e Përzhinës, por, sipas tij, vendin e presin një sërë reformash.

“Liderët e katër partive kryesore politike kanë bërë një hap të guximshëm duke e nënshkruar marrëveshjen e Përzhinës, me të cilën thanë se kanë krijuar kushte për organizimin e zgjedhjeve më 11 dhjetor. Shumë me rëndësi është që zgjedhjet të realizohen në kushte të mira. Ju presin një numër i madh i reformave dhe sfidave”,- deklaroi ambasadori i Francës në Maqedoni, Kristian Timonie.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, thotë se vendi duhet të dëshmojë kapacitet për organizimin e zgjedhjeve.

“Republika e Maqedonisë duhet të tregojë dhe dëshmojë se ka kapacitet, ka fuqi, ka përkushtim për të organizuar zgjedhjet të cilat i plotësojnë standardet ndërkombëtare, zgjedhje rezultatet e të cilave do të jenë të gjithëpranueshme për të gjithë aktorët politik prej të gjithë miqve tanë të bashkësisë ndërkombëtare, zgjedhje të cilat në mënyrë shtesë do të japin argumente se Maqedonia e meriton perspektivën europiane”,- theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Arbër Ademi.

Këto komente ambasadori francez Timonie dhe zëvendëskryeministri për Çështje Europiane, Ademi, i kanë bërë gjatë një vizite që kanë realizuar me përfaqësuesit e pushtetit lokal të Kumanovës. (Naim Ramadani, TVM2)