Ekonomi
Naumov viziton OEMVP-në: Të mos ketë presion ndaj bizneseve
26.10.2016 18:29
Zëvendësministri plotësues i Financave, Kire Naumov, dhe kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha, janë takuar sot për të diskutuar rreth ndikimit që ka tek bizneset situata aktuale politike dhe zgjedhjet...

Të dyja palët u pajtuan se kompanitë nuk duhet të kenë pasoja nga ngjarjet politike në vend. Naumovski kërkoi që kompanitë të raportojnë çdo abuzim, presion, apo mospërputhje në zbatimin e ligjit.
“Nuk do të lejojmë asnjë presion politik në periudhën parazgjedhore nga ana e shtetit në drejtim të komunitetit të biznesit. Erdhëm në përfundim që kompanitë vendore, kryesisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duhet të jenë bazë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe unë mendoj se ata duhet të mbështeten më shumë”,- deklaroi zëvendësministri plotësues i Financave, Kire Naumov.
Hoxha theksoi se komuniteti i biznesit kërkon që vizita e inspeksionit të jetë në drejtim të edukimit, e jo menjëherë të dënohen kompanitë.
“Kthimi i TVSh-së në kompani kryesisht kohën e fundit është në nivel të duhur, por kemi raste kur kthimi i TVSh-së në kompani kryhet në një mënyrë ku borxhet ose kthimi i TVSh-së me vlera të mëdha prolongohet dhe kompanitë që kanë nevojë të kthimit të TVSh-së nuk mund të realizojnë pagesa kundrejt subjekteve tjera ose bankave në të cilat kanë kredi të ndryshme”,- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
Në takim u konkludua se duhet të ketë disiplinë financiare, por shteti, si punëdhënësi më i madh, duhet t’i përmbush detyrimet e saj për sektorin e biznesit dhe mos të bëjë presion në këtë periudhë parazgjedhore.
GAZMEND KURTISHI
