Maqedoni
LSDM mbajti tubim në lagjen Aerodrom
23.04.2014 18:21
Kandidati presidencial nga radhët e LSDM-së në kuadër të fushatës për rrethin e dytë zgjedhor, Stevo Pendarovski...

Kandidati presidencial nga radhët e LSDM-së në kuadër të fushatës për rrethin e dytë zgjedhor, Stevo Pendarovski, të martën u takua me banorët e Aerodromit. Me këtë rast, ai ka ftuar qytetarët që t’i bindin të gjithë ata të cilët janë të papërcaktuar, të dalin në votim.
Pendarovski para simpatizantëve tha se pas zgjedhjeve të 27 prillit, do të fillojë lufta e vërtetë për Maqedoninë e lirë.
Ndërkohë edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, në fjalimin e tij para të pranishmëve tha se në vend po mbretëron varfëri e madhe si asnjëherë më parë. Sipas tij, skamja ka mbërthyer të gjitha poret e jetës, andaj nëse ne e marrim mandatin për të qeverisur gjatë katër viteve të ardhshme, do të përqëndrohemi në rritjen dhe zhvillimin ekonomik, me ç’rast do ta kthejmë klasën e mesme dhe shumica e të hollave nga tatimi i vlerës së shtuar do t’u kthehet sërish qytetarëve.
Ai më tej tha se kishim buxhet prej 1 miliard e 600 milion euro para 8 viteve, ndërsa tani kemi 3 miliard euro, prej ku janë këto para, nuk kanë zbritur nga qielli, por u janë marrë qytetarëve duke i gjobitur dhe duke shfrytëzuar mekanizma të ndryshëm.
“Të gjithë e dimë se më shumë se 70% e vendit tonë është në varfëri, e dinë edhe fëmijët e vegjël se nuk ka ardhmëri në asnjë vend në botë, po ashtu edhe në vendin tonë me një varfëri kaq të madhe, që mbizotëron në çdo sferë të jetës. Për këtë arsye ky koncept ka për qëllim që t’ua kthejë paratë qytetarëve. Ekipi ekonomik i LSDM-së beson në fuqinë konsumuese për rritje dhe zhvillim në çdo ekonomi, ashtu edhe te ne”, deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
“Detyra ime, e juaja, e jona, është të punojmë me këta njerëz, t’i bindim se duhet të dalin, pasi që nuk janë zgjedhje të thjeshta. Dilema nuk është nëse do të jetë një apo ndonjë tjetër në kolltuk, dilema është nëse Maqedonia do të vazhdojë në këtë rrugë”, potencoi kandidati presidencial i LSDM-së, Stevo Pendarovski.
Kandidati presidencial i LSDM-së, Stevo Pendarovski, gjithashtu mbajti tubim edhe në lagjen Karposh të Shkupit dhe nga atje u dërgoi mesazh votuesve shqiptarë, të dalin në votime në raundin e dytë dhe të mos i bojkotojnë zgjedhjet, sepse edhe ata vendosin se kush do të shkojë më tutje dhe të qeverisë me shtetin.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
