Maqedoni
PPD mbajti tubim në Gradec
23.04.2014 18:26
PPD mbrëmë ka vazhduar fushatën zgjedhore parlamentare në fshatin Gradec të Gostivarit...

PPD mbrëmë ka vazhduar fushatën zgjedhore parlamentare në fshatin Gradec të Gostivarit, me ç’rast ka prezantuar platformën parazgjedhore të saj.
Bartësi i listës nga radhët e kësaj partie në njësinë e gjashtë zgjedhore, Muhamed Halili, në fjalimin e tij theksoi se PPD-ja ka vendosur që të rikthehet në skenën politike, me qellim që të vazhdojë misionin e saj për mirëqenie ekonomike dhe politike për shqiptarët në Maqedoni.
Platforma e këtij subjekti politik do t’u mundësojë shqiptarëve krijimin e një mirëqenie të plotë në të gjitha fushat e jetesës.
Duke folur për arsimin, Halili theksoi se PPD-ja do të bëjë ndryshime në sistemin arsimor, duke filluar nga ai fillor deri në atë sipëror, ku rritja e cilësisë së arsimit do të jetë detyrë parësore.
Sipas tij, arsimi duhet të profilizohet dhe nuk duhet në të ardhmen të kemi gjimnaze të stërngarkuara me nxënës në kurriz të shkollave profesionale, sepse nevojat e tregut evropian sot janë të lidhura me shkollat profesionale.
REJHANE BUSHI-METAJ
