Maqedoni
RDK ka mbajtur tubim në Çegran dhe Forinë
23.04.2014 18:33
Me moton “Është Koha” Rilindja Demokratike Kombëtare vazhdoi fushatën e saj parazgjedhore në fshatin Çegran...

Me moton “Është Koha” Rilindja Demokratike Kombëtare vazhdoi fushatën e saj parazgjedhore në fshatin Çegran.
Kandidatët për deputet nga radhët e Rilindjes Demokratike Kombëtare, para banorëve të Çegranit dhe Forinasit thanë se RDK-ja del para popullit me përgjegjësi të plotë, ata thanë se RDK-ja është liria e shqiptarëve dhe sipas tyre, ata pa fije droje do të mbrojnë çështjen kombëtare dhe popullin shqiptarë, ata njëherit kërkuan besimin e banorëve të kësaj ane, që më 27 prill të dalin dhe të votojnë RDK-në, për të dëshmuar se populli shqiptarë ka nevojë për ndryshime.
Ata njeherit përcjellën edhe një mesazh te të gjithë intelektualet shqiptarë, që t’i bashkëngjiten platformës së RDK-së, pasi sipas tyre, është e vetmja parti që do të merr përgjegjësi për popullin e vet.
Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombetare, Rufi Osmani, gjatë fjalimit të tij para çegranasve dhe forinasve, theksoi se programi i Rilindjes Demokratike Kombëtare është program me punime shkencore dhe se rinia jonë është e aftë dhe ka nevojë për përkrahje, andaj ai kërkoi besimin e shqiptarëve për të përkrahur këtë parti.
“Programi ynë është një ekstrakt i shkurtër, por i sublimuar, po pas atij programi qëndrojnë vite të tëra, punë e madhe, libra të shkruara, punime të botuara nëpër konferenca të dëshmuara para intelektualëve, profesionistëve, të folura nëpër gjuhë botërore. Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që kombit shqiptarë t’i ofrojmë rilindje ekonomike arsimore, kulturore, të rikthejmë shpresën e humbur, se ne jemi këtu që ta mbajmë popullin shqiptarë në vendin, shqiptarët t’i sjellim këtu, a jo të na shkojnë njerëzit në Evropë dhe ta lënë vendin bosh”, deklaroi kryetari i RDK, Rufi Osmani.
RDK-ja fushatën e saj zgjedhore do ta vazhdojë në fshatin Çajle të Gostivarit, ndërsa tubimi qendror i RDK më datën 25 do të mbahet në qytetin e Gostivarit.
HAMIDE IBRAIMI
