Maqedoni
PDSH vazhdoi fushatën në Dibër dhe Strugë
23.04.2014 18:37
Partia Demokratike Shqiptare mbrëmë ka vazhduar me prezantimin e kandidatëve për deputet në Dibër dhe Strugë...
Partia Demokratike Shqiptare mbrëmë ka vazhduar me prezantimin e kandidatëve për deputet në Dibër dhe Strugë. Në tubimin para anëtarëve dhe simpatizantëve të partisë në Dibër, kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, iu është referuar votave të pakta që mori partia e tij në këtë qytet më 13 prill, gjë që sipas tij, ka ardhur pasi njerëzit kanë qenë të kërcënuar e të frikësuar që të mos votojnë kandidatin e PDSH-së për president.
Por sipas tij, detyra e kryetarit është të ruaj anëtarësinë dhe tashmë edhe ai ka listat e njerëzve të BDI-së. Thaçi në Dibër edhe njëherë ka ripërsëritur qëndrimin e njohur të tij gjatë këtyre zgjedhjeve, se PDSH-ja do të hyjë në Qeveri, por kësaj radhe ai ka deklaruar se PDSH-ja do të jetë pjesë e Qeverisë qoftë edhe sikur vetëm Menduh Thaçi të jetë deputet.
“Kanë mundësi të riprovimit më 27 prill. Të mos bëjnë më dhunë dhe kërcënime. Përndryshe ju thoni hapur se dhe unë i kam hartuar listat e tyre dhe listat sigurisht që nuk kam dëshirë t’i përdor, por jam i thirrur nga posti që kam, që të mbroj njerëzit tanë se edhe ata janë shqiptarë. Po t’ju pyesin si mund të hyjë Menduh Thaçi në Qeveri, se kam gajlen e atyre, sa për ata si bëj hesap, vet deputet do të hyj në Qeveri, e si bëj mall”, u shpreh kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Nga Dibra PDSH-ja është zhvendosur në Strugë për të prezantuar edhe atje kandidatët për deputet.
Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka falënderuar struganët për mbështetjen që ia dhanë kandidatit shqiptar për president, Iljaz Halimit, më 13 prill. Ai njëherit tha se këta pushtetarë të cilët morën mandatin e popullit për t’i mbrojtur ata, po të njëjtit pushtetarë e shfrytëzojnë pushtetin jo për t’i ndihmuar shqiptarët, por për t’i shtypur ata dhe gjithë kësaj të keqe sipas Thaçit, do t’i vijë fundi atëherë kur PDSH-ja do të hyjë në Qeveri më datën 28 prillit, atëherë dhe do të marrin fund të gjitha keqtrajtimet, diskriminimet për shqiptarët, pasi në datën që PDSH-ja do të hyjë në Qeveri, nuk do të lejojnë trajtimin servilesk nga pala maqedonase, por do të jetë partner në bashkëqeverisje.
Jemi në bisedime intensive me VMRO-DPMNE-në për ta krijuar Qeverinë e 28 prillit, ndërsa ata të BDI-së vazhdojnë te flasin se populli vendos se kush hyn në Qeveri, por unë po pyes se cili popull, populli i dhunuar dhe kushtëzuar, i cili në Kërçovë nxori rezultate 20.000 me zero, u shpreh Thaçi.
Ai njeherit tha se kandidatët për deputet me të cilët garon PDSH-ja në këto zgjedhje parlamentare, kane pastërti morale, kombëtare dhe materiale, andaj dhe kërkon verdiktin e popullit për t’i përfaqësuar ata në mënyrën më të mirë të mundshme në institucionet relevante të vendit, u shpreh para të pranishmëve në këtë tubim lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Kryesuesi i listës së deputetëve të PDSH-së në njësinë e pestë zgjedhore, Zija Jonuzi, para të pranishmëve tha se BDI-ja gati 12 vite radhazi ka gënjyer shqiptarët për anëtarësim në NATO dhe në Bashkim Evropian, ata kanë dëshmuar se nuk ka potencial për të debllokuar proceset eurointegruese, ndërsa që kur është kjo garniturë politike në skenë, shqiptarët kanë përjetuar vetëm vuajtje dhe skamje, theksoi Jonuzi. Ai njëherit theksoi se si deputet i ardhshëm do të angazhohet që t’i përfaqësojë denjësisht të gjithë qytetarët e kësaj zone.
“Bashkëpartiak të nderuar, për t’i arritur qëllimet tona individuale dhe kolektive, ju bëj apel të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, pa marrë parasysh ngjyrimeve politike, të votojmë PDSH-në dhe të implementohet marrëveshja politike e PDSH-së si e vetmja zgjidhje politike për shqiptarët e Maqedonisë, me këtë PDSH bëhet garanci e një barazie të plotë të qytetarëve të Maqedonisë dhe me lidershipin e saj të debllokon proceset integruese të Maqedonisë. Ju lus të gjithë juve që jeni këtu, që të gjithë bashkërisht më 27 prill të votojmë opsionin për liri, rrethoni numrin 2”, deklaroi Zija Jonuzi nga PDSH.
Në këtë tubim fjalën e mori edhe shefi i shtabit zgjedhorë, Nafi Doko, i cili para të pranishmëve tha se duke rrethuar numrin e Partisë Demokratike Shqiptare më 27 prill, shqiptarët do të votojnë për lirinë, për ardhmërinë e fëmijëve tanë, pasi të rinjtë shqiptarë siç u shpreh ai, duke mos parë perspektivë në Maqedoni, largohen pa presion dhe pa dhunë, por të detyruar ekonomikisht.
Vetëm duke parë gjendjen në shkollat tona, sot shohim se në arsim nuk është vënë dorë fare, arsimi është bërë një çështje joserioze në vend, pasi përmasat e dhënies së notave ka rezultuar që studentët shqiptarë nuk pyesin edhe sa provime u kanë ngelur, po edhe sa këste kanë për të paguar, fatkeqësisht ka edhe nga ata të cilët nuk e dinë edhe ç’farë studiojnë dhe e gjithë kjo vjen falë BDI-së, e cila në arsim nuk ka bërë asnjë investim, u shpreh shefi i shtabit zgjedhorë për Strugën, Nafi Doko.
Ai njëherit tha se nuk ekziston shtet demokratik në botë që për dështimet e ndryshme në qeverisje akuzojnë opozitën, ndërsa kjo sipas tij, ndodh vetëm në Maqedoni.
“Përveç kësaj, ajo që është më interesante është se BDI për ta amnestuar veten për dështimet, për dështimin e plotë gjatë këtij mandati, e akuzon opozitën shqiptare se gjoja nuk ekziston, ajo ekziston, bile shumë fuqishëm. Paskan luajtur ata rolin edhe të pozitës edhe të opozitës, të nderuar të pranishëm, nuk ka shtet demokratik në botë ku për dështimet e Qeverisë akuzohet opozita, si mund të ndodhë kjo, kjo që mjetet e informimit e analist të ndryshëm në thonjëza, akuzojnë edhe opozitën për gjendjen e rëndë në të gjitha sferat e jetës, është e pashembullt kur dihet se Qeveria i ka të gjitha mekanizmat dhe paratë për veprim”, theksoi Nafi Doko nga PDSH.
Ai njëherit në këtë tubim potencoi se shqiptarët i kanë të qarta kërkesat e tyre, të cilat janë: mirëqenia ekonomike, arsimi i mirëfilltë dhe siguria. Me ardhjen në Qeveri të PDSH-së, të gjitha këto do të marrin fund, pasi në qendër të vëmendjes do të jetë qytetari dhe nevojat e tij, kështu u shpreh shefi i shtabit zgjedhorë për Strugën, Nafi Ndoko.
ZEJXHANE OSMANI
