Nis me punë Universiteti “Nënë Tereza”, Pollozhani: Janë krijuar kushtet optimale
Nisi punën Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup...

Nisi punën Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup. Nga 14 programe studimore në pesë fakultete, nëntë e plotësojnë kushtin që në kushte optimale të zhvillojnë studimet.
Për mbajtjen e ligjëratave do të shfrytëzohet një pjesë e hapësirave të Lidhjes së sindikatave të Maqedonisë, ku është i vendosur rektorati, ndërkaq pjesa tjetër e studentëve do të ndjekin ligjërata në hapësirat e UEJL-së.
Ushtruesi i detyrës, rektor Aziz Pollozhani, siguron se janë krijuar kushtet optimale për zhvillimin e mësimit.
“Këto klasa nuk janë të vogla, janë të mjaftueshme për fushat teknike, sepse grupet e fushave ekzakte me proces të Bolonjës dhe standardet që i ka aprovuar RM janë në këtë numër. Tjetër çështje është që të shohim 500 vetë me një njeri duke folur dhe të themi se po mbahet mësim cilësor”,- deklaroi ushtruesi i detyrës, rektor i UNT-së, Aziz Pollozhani.
Edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu, uroi studentët dhe tha se formimi i Universitetit “Nënë Tereza” ka qëllimet më fisnike për emancipimin e gjeneratave të reja.
“Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, të cilin e përurojmë sot, nuk vjen si rezultat i ndonjë plani ogurzi për bajraktarizëm lokal apo si ndonjë risi sezonale, por ai vjen si rezultat i sakrificës dhe punës së palodhshme të atdhetarëve tanë ndër vite si nevojë e kohës dhe ngritjen e standardeve në mësimdhënie si kërkesë e fuqisë intelektuale në tregun jashtëzakonisht të punës dhe si udhërrëfyes për drejtimin në të cilin tani po hapëron populli ynë në këtë vend”,- theksoi ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.
Udhëheqësia e universitetit në këtë fillimvit akademik ka siguruar vetëm gjysmën e profesorëve, 45 nga gjithsej 170 që aplikuan në konkursin e parë. Konkursi i dytë për kompletimin e stafit edhe me 39 profesorë të tjerë është në rrjedhë e sipër.
Parashikohet që studimet në universitet të ndjekin 1220 studentë. Nga universiteti njoftojnë se afati i dytë i regjistrimit të studentëve vazhdon edhe nesër. Në Universitetin “Nënë Tereza” do të funksionojnë pesë fakultete: Shkencat Sociale, Informatika, Teknologjia, Teknika dhe Fakulteti i Ndërtimtarisë.
Buxheti i universitetit arrin shumën në 80 milion denarë. Ndërtimi i godinës së universitetit pritet të fillojë vitin e ardhshëm në kazermën Ilinden. (Meral Ismaili, TVM2)
