Botë

Tre të dënuar shqiptarë arratisen nga burgu i Romës

27.10.2016 15:17

Tre të dënuar shqiptarë janë arratisur këtë të enjte nga burgu i Rebibias, në Itali, duke përdorur çarçafët si litarë...

Tre të dënuar shqiptarë janë arratisur këtë të enjte nga burgu i Rebibias, në Itali, duke përdorur çarçafët si litarë, informon TCH.
 
Sipas televizionit ngjarja ka ndodhur mes orës 06:00 dhe 06:15. Të dënuarit ndodheshin në repartin G9 të burgut, ku qëndrojnë kryesisht persona të akuzuar jo për krime të rënda, por për dhunë seksuale ose për ish-anëtarë të forcave të rendit që kanë kryer krime.
 
Në bazë të hetimeve të para, tre të arratisurit kanë arritur murin rrethues e më pas kanë zbritur prej tij përmes çarçafëve.
 
Në këtë burg gjatë natës ishin transferuar të dënuar të tjerë nga burgu i Kamerinos për shkak të tërmetit që ra mbrëmjen e djeshme në Itali.
 
Arratisjet e të dënuarve nga burgjet e Italisë janë shtuar në vitet e fundit, për shkak të mungesës së personelit. Lidhur me rastin e fundit autoritetet kanë nisur kërkimet, duke analizuar kamerat e mbikëqyrjes dhe duke ngritur postoblloqe në zona të ndryshme.
 
Sipas mediave lokale, bëhet fjalë për një 35-vjeçar të dënuar për vrasje, një 40-vjeçar të dënuar për vrasje në bashkëpunim dhe një 38-vjeçar për shfrytëzim prostitucioni./mia