KShZ vendos në këqyrje publike Listën Zgjedhore, këqyrja - mundësi e dytë për votuesit e kontestuar
KShZ do të vendos në këqyrje publike Listën e votuesve që nesër, më 28 tetor...

KShZ do të vendos në këqyrje publike Listën e votuesve që nesër, më 28 tetor, konform Kodit Zgjedhor dhe kalendarit të aktiviteteve për përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit.
Lista do të jetë e disponueshme në zyrat dhe njësitë rajonale të KShZ-së, në përfaqësitë diplomatike dhe në ueb faqen e këtij institucioni deri më 11 nëntor, me qëllim që qytetarët të mund të kontrollojnë nëse janë të regjistruar në këtë listë dhe me çfarë të dhëna.
“Qytetarët që do të shohin se nuk janë regjistruar në Listën Zgjedhore, por i plotësojnë kushtet dhe duan të regjistrohen, mund të dorëzojnë kërkesë për t’u regjistruar në Listën Zgjedhore në njësitë rajonale dhe zyrat e KShZ-së, nëse ndodhen në RM ose përmes përfaqësive konsulare diplomatike t’i dorëzojnë kërkesat e tyre në KShZ në formë elektronike”,- deklaroi zëdhënësja e KShZ-së, Lupka Guguçeska.
Nga 28 tetori deri më 11 nëntor, edhe qytetarët, të dhënat e të cilëve në Kodin Zgjedhor u cilësuan si të kontestueshëm dhe u gjetën në Listën e 30 502 qytetarë të cilët nuk u regjistruan në Listën Zgjedhore pasi e lëshuan afatin e gushtit për t’u paraqitur, kanë të drejtë të paraqiten për t’u regjistruar në Listën Zgjedhore.
“Bëj thirrje te të gjithë qytetarët që të bëjnë kontroll nëse janë në atë listë dhe nëse nuk janë, ta shfrytëzojnë mundësinë dhe të paraqiten për të realizuar të drejtën e votës”,- tha zëdhënësja e KShZ-së, Lupka Guguçeska.
Që nesër deri më 6 nëntor fillon edhe grumbullimi i nënshkrimeve për mbështetje të listave të kandidatëve të pavarur. Deri tani në KShZ është njoftuar për një listë të kandidatëve të pavarur se po grumbullojnë nënshkrime dhe atë në NJZ2. Afati për grumbullimin e nënshkrimeve vlen edhe për diasporën, përkatësisht për njësinë zgjedhore numër shtatë.
Në ndërkohë, po rrjedh afati për paraqitjen e shtetasve të Maqedonisë në diasporë, të cilët duan të votojnë. Deri tani janë paraqitur rreth 2100 mërgimtarë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
