Shekerinska: Për vendin është mirë të jetë një njësi zgjedhore, institucionet të zbatojnë zgjedhje të besueshme
Për Republikën e Maqedonisë zgjidhja më e mirë është që vendi të jetë me një njësi zgjedhore....

Për Republikën e Maqedonisë zgjidhja më e mirë është që vendi të jetë me një njësi zgjedhore.
Ky është qëndrimi i LSDM-së lidhur me iniciativën e “Unitetit” deri te Gjykata Kushtetuese për kushtetutshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, thotë se që t’u jepen fund diskutimeve se a e ka vlerën e njëjtë vota e qytetarit, duhet të ketë vetëm një njësi zgjedhore, por këtë duhet ta vendosë gjithsesi Gjykata Kushtetuese.
"Ne besojmë se kjo çështje lehtë mund të ndryshohet, prandaj edhe një herë përsërisim se për Republikën e Maqedonisë zgjidhja më e mirë është i gjithë vendi të jetë një njësi zgjedhore. Kjo do të ndalojë të gjitha diskutimet se vota e çdo qytetari a e ka vlerën e njëjtë. Kjo do të ndalojë këto diskutime joproduktive për kufijtë, për komunat dhe për mënyrën se si të ndahen të gjitha njësitë zgjedhore në gjashtë rajone zgjedhore",- deklaroi nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska.
Institucionet duhet të sigurojnë zgjedhje kredibile, e kjo arrihet vetëm me respektimin e ligjeve, thotë Shekerinska.
"Ne vlerësojmë se çdo ditë të gjitha institucionet në Maqedoni janë në test nëse zgjedhjet janë të besueshme apo jo të besueshme. Mënyra për të ardhur në zgjedhje të besueshme është të respektojmë të gjitha ligjet, prandaj nga ana jonë bëjmë gjithçka dhe do të vazhdojmë të bëjmë për të zbatuar zgjedhje nga të cilat qytetarët nuk do të turpërohen, por do të krenohen",- theksoi nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska.
Shekerinska para gazetarëve tha se nëse në pushtet vjen LSDM–ja do të ndryshojnë mënyrën e funksionimit të kuvendit, që mos të jetë vetëm makineri votimi, por t’i shërbejë popullit. (Sanije Duraku, TVM2)
