Maqedoni

BDI shpalos programin ekonomik para sektorit të biznesit

23.04.2014 18:45

BDI ka prezantuar sot platformën ekonomike në Odën Ekonomike të Maqedonisë veriperëndimore...

BDI ka prezantuar sot platformën ekonomike në Odën Ekonomike të Maqedonisë veriperëndimore. Integrimi i brendshëm i ekonomisë vendore, liri në të bërit biznes dhe zhvillim të barabartë rajonal dhe integrim rajonal, janë tre shtyllat kryesore në këtë platformë.
 
“Ne konsiderojmë se kompanitë vendore kanë resurse, kanë dituri, kanë edhe kapacitet për të hapur kapacitete tjera industriale, me një qëllim të vetëm, hapjen e vendeve të reja të punës, mirëpo edhe një ligj tjetër i stimulimit, i investimeve nga diaspora shqiptare, sepse konsiderojmë se diaspora shqiptare sidomos, ka  një potencial të madh financiar për të investuar në R. M.-së”, deklaroi Valon Saraçini nga BDI.
 
“Të sigurojmë një rritje ekonomike prej 4 deri në 7 % në 4 vitet e ardhshme, gjithashtu investimet e huaja prej 8 deri në 1. 2 miliard euro, 40 deri në 60 mijë vende të reja pune, rritje e bruto rrogave mbi 500 euro edhe disa trende tjera të rëndësishme ekonomike dhe 1081 projekte në fushat e ndryshme”, u shpreh Fatmir Besimi nga BDI.  
                  
Përfaqësuesit  e OEMVP-së  u shprehen të kënaqur që partitë politike kanë përfshirë në program edhe kërkesat e tyre.
 
“Është me rëndësi se janë të përmendura dhe të inkorporuara në programet e të gjitha subjekteve politike… dhe kjo bën që ne të ndjehemi të përfillur dhe të sigurt se diçka do të ndryshohet pozitivisht në katër vitet e ardhshme”, tha kryetari i OEMVP-së, Menderez Kuqi.
 
Investimet infrastrukturore, gasifikimi dhe investimet në sektorin e minierave dhe të energjetikës, mbetën në qendër të vëmendjes së platformës të BDI-së.
 
REXHEP QAMILI