Shqipëri, çështja e kanabisit nxit debat të ashpër në Kuvend
27.10.2016 17:16
Tematika e drogës ka mbizotëruar debatet në Parlamentin shqiptar...

Tematika e drogës ka mbizotëruar debatet në Parlamentin shqiptar. Sasitë e mëdha të drogës që sekuestrohen çdo ditë i janë sjellë në vëmendje kryeministrit, Edi Rama, nga kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka.
Me tone ironie ai është shprehur se Qeveria shqiptare ka rritur ndjeshëm eksportin e kanabisit.
Është kundërpërgjigjur shefi i Qeverisë, i cili tha se rritja e eksporteve nuk ka lidhje me kanabisin. Ai e krahasoi Partinë Demokratike me ballistët, të cilët në kohën e diktaturës komuniste cilësoheshin si tradhtarë.
Sipas statistikave, vetëm brenda muajit tetor janë sekuestruar rreth 15 tonë kanabis sativa. Pikërisht për këtë arsye është hedhur ideja e ndërhyrjes së ushtrisë për të zhdukur këtë fenomen. (Luljeta Ndoka, TVM2)
