Pabarazia e barazisë gjinore, gratë në burgje pa gjinekolog, librat plot shembuj që bëjnë diskriminim gjinor
Ekspertët alarmojnë se në Maqedoni ekziston mungesa e dukshme e vullnetit...

Ekspertët alarmojnë se në Maqedoni ekziston mungesa e dukshme e vullnetit të fortë politik për të promovuar konceptin e shoqërisë të barazisë gjinore.
Sipas analizave të përmbledhura në dy dokumente kushtuar edukimit të qytetarëve për barazi gjinore dhe kujdesit shëndetësor për gratë në burg, vërtetohet se të drejtat e grave në burgje shkelen në mënyrë flagrante.
Nuk ka një gjinekolog që do të përkujdesej për të burgosurat dhe kjo përbën shkelje të të drejtave të njeriut. Edhe sistemi arsimor nuk i trajton njësoj burrat dhe gratë, thonë ekspertët.
“Sipas raportit të Avokatit të Popullit të Republikës së Maqedonisë, është vërtetuar se kujdesi shëndetësor i grave nëpër burgje është katastrofal. Shërbimet shëndetësore te gratë dhe te burrat janë të ndryshme. Në raportin e Avokatit të Popullit është konstatuar se nuk ka gjinekolog në burg, njëkohë ka pasur, mirëpo i ka mbaruar afati i punës dhe deri më tani nuk kanë mundur të sigurojnë gjinekolog”,- tha Marija Georgievska.
“Edhe pse në Ligjin për mundësi të barabarta për burrat dhe gratë është përcaktuar parimi i barazisë gjinore në të gjitha fushat e sistemit arsimor, ndërsa në vendin tonë nuk i kemi ato rezultate. Një shembull është libri për lëndën e klasës së VIII, Edukata qytetare, që është e pasur me shembuj dhe formulimet mashtruese që mund të ndikojnë negativisht në ndërtimin e personalitetit të të rinjve”,- tha Svetllana Mazgalloska-Vicitiq.
Rekomandimet që përfshihen në këto dokumente duhet të pranohen nga institucionet kompetente, në mënyrë që të promovohet barazia gjinore në Maqedoni. Projekti u promovua nga Fondacioni “Fridrih Ebert” në bashkëpunim me Institutin “Progres për demokraci sociale”. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
