Maqedoni

BDI shpalosi platformën në Kërçovë

23.04.2014 18:52

BDI në tubimin e mbrëmshëm në Kërçovë, tha para të pranishmëve se nuk mund të ndalë askush guximin...

BDI në tubimin e mbrëmshëm në Kërçovë, tha para të pranishmëve se nuk mund të ndalë askush guximin e saj për të realizuar punët e duhura. Musa Xhaferi,  bartës liste në zonën zgjedhore pesë, deklaroi se të tjerët mundohen t’i keqpërdorin shqiptarët duke iu drejtuar përmes videove për marketing politik.
 
“Ne do të jemi të përgjegjshëm edhe si kandidat për të gjithë fushatën, do të premtojmë programin tonë dhe do të insistojmë që të realizohet ky program, për arsye se është në të mirë të të gjithë shqiptarëve, është në të mirë të të gjithë qytetarëve që qëndrojnë në këtë anë. Nuk qëndrojnë spotet, marketingu politik, se ne jemi përpjekur vetëm për gjuhën e flamur. Ne jemi përpjekur për gjuhën e flamur vetëm për një arsye, sepse të tjerët na e kanë mohuar dhe të tjerët akoma reflektojnë dhe kërkojnë falje përpara shqiptarëve dhe mundohen ta keqpërdorin për marketing politik”, deklaroi bartësi i listës në njësinë zgjedhore pesë, Musa Xhaferi.
 
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti edhe njëherë ripërsëriti qëndrimin se votuesit shqiptarë janë ata të cilët do të vendosin se kush do t’i përfaqësojë në Qeveri.
 
“Po vëllezër e motra edhe shumë punë kemi për të bërë. Por ama as dija, as guximi, as vullneti nuk na mungojnë, ne jemi plot guxim, aty ku duhet guximi s’ka kush që na i ndal dhe akoma nuk kanë lindur ata burra që të ndalin guximin e guximtarëve të BDI-së. Votuesi vendos se kush do të drejtojë legjislativin dhe ekzekutivin. Nuk vendosin kuluaret, nuk vendosin bodrumet e as marrëveshjet e fshehta. Ne partneritet kemi me votuesit shqiptarë të Republikës së Maqedonisë dhe ky partneritet me vite e vite ka shkuar duke u rritur, duke u zmadhuar. BDI prej ciklit në cikël gjithnjë e më tepër ka dalë më i fortë, më i mobilizuar dhe i organizuar dhe në këtë cikët zgjedhor si asnjëherë më parë jemi shumë e shumë më të fortë”, u shpreh lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Kreu i integristëve, Ahmeti, u shpreh se shqiptarët për 10 vite me radhë përkrahën këtë lëvizje misionare, pasi ajo u siguronte qëllime të paluhatura, që diktaturat dhe sistemet gjakatare i përmbysën. 
 
BDI vazhdon sonte fushatën në Gostivar.
 
MEFAIL ISMAILI