Vejseli: Na u mbyll dera e bashkëpunimit; Zhbogar: Nga zgjedhjet varet bashkëpunimi me BE-në
Kryetari i PPD-së, Abduladi Vejseli, takoi sot euroambasadorin, Samuel Zhbogar....

Kryetari i PPD-së, Abduladi Vejseli, takoi sot euroambasadorin, Samuel Zhbogar. Zgjedhjet e dhjetorit ishin temë kryesore e takimit, njoftojnë nga PPD.
Orientimi i PPD-së ka qenë koalicionimi me partitë opozitare shqiptare, tha Vejseli, duke u ankuar se dhe këtij opsioni i janë ngushtuar dyert.
Ai lë të hapur mundësinë e bashkëpunimit deri në çastin e fundit të dorëzimit të listave zgjedhore. Nëse kjo nuk do të ndodh, atëherë opsioni i vetëm ngelë dalja vetëm e PPD-së në zgjedhje, deklaroi Vejseli.
Në takim është diskutuar edhe për disbalancin e votuesve në njësitë zgjedhore.
Sipas PPD-së, euroambasadori Zhbogar ripërsëriti vlerësimin e komisionerit Han gjatë qëndrimit të fundit në Shkup, që në zgjedhje mos të hyhet pa zgjidhjen e dilemave të mosbalancimit të njësive zgjedhore.
Gjithsesi “BE pret që më 11 dhjetor të ketë zgjedhje, ashtu siç janë marrë vesh partitë politike.
Nga mënyra e realizimit të zgjedhjeve demokratike, të lira dhe kredibile do të varet edhe niveli i bashkëpunimit të BE-së me qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet”,- theksoi Zbogar, duke vënë edhe njëherë në dije se BE dhe OSBE-ODIHR i kanë bërë të gjitha parapërgatitjet që Republikës së Maqedonisë t’i ndihmojnë që ajo me sukses ta realizojë procesin zgjedhor.
Nga PPD njoftojnë se Zhbogar ka garantuar se ekspertët e BE-së dhe OSBE-ODIHR do të pamundësojnë keqpërdorimin e votës së qytetarëve nga ana e aktivistëve të partive politike që eventualisht do të synojnë ta bëjnë këtë. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
