Tërmetet dridhin Italinë, MPJ: Nuk ka asnjë të lënduar nga Maqedonia

27.10.2016 20:05

Dy tërmete të fuqishme me magnitudë 5.4 dhe 5.9 shkallë, të cilat goditën pjesën qendrore të Italisë...

Dy tërmete të fuqishme me magnitudë 5.4 dhe 5.9 shkallë, të cilat goditën pjesën qendrore të Italisë, shkatërruan shumë ndërtesa dhe shkaktuan panik te banorët.

Lëkundjet u pasuan me rreth 200 lëkundje më të vogla me epiqendër në komunat Castel Sant'Angelo sul Nera, Visso, Ussita dhe Preci në Marche, por tërmeti u ndie në shumë zona, përfshirë edhe kryeqytetin e Romës.

Raportohet për tetë të lënduar, por nuk ka raporte për të vdekur. Duke marrë parasysh faktin se në këto zona  ka shumë qytetarë nga Maqedonia, nga MPJ deklarojnë se nuk ka të lënduar. Mbrojta civile raporton se krahas mijëra personave të cilët kaluan natën jashtë banesave, llogaritet se shumë nga ata kanë mbetur pa strehë.

“Gjatë natës disa kamionë kanë ardhur dhe kemi shkarkuar shtretër për kampe, shtretër me dyshekë të cilat i ruajmë për t’i sistemuar në bazë të nevojës qoftë edhe jashtë tendave kudo ku njerëzit do të munden ta kalojnë natën. Nuk mund të them se për sa ka nevojë, duke u bazuar në zhvillimin e situatës”,- deklaroi Antonio Franconi nga Mbrojtja Civile.

“Fillimisht u siguruam se a ka viktima, të plagosur apo të humbur. Më pas u përpoqëm të krijojmë kushte elementare, duke siguruar ujë të pijshëm për të cilin kemi nevojë shumë. Shqetësimi tjetër na mbetet të sigurojmë tualete dhe kuzhina në kampet e improvizuara. 2/3 e shtëpive nuk janë të sigurta dhe asnjë ndërtesë nuk është e shfrytëzueshme për momentin”,- tha kryetari i Vissos, Giuliano Pazzaglini.

Moti i keq e vështirëson gjendjen, duke marrë parasysh faktin se në këto komuna të vogla shumica e banorëve janë të moshuar dhe dimri është në prag. Në zonat e tërmetit sot janë mbyllur shkollat, evakuuar spitalet e burgjet, një pjesë e rrugëve janë bllokuar nga rënia e shkëmbinjve.

Dy muaj më parë, një tërmet i fuqishëm ka goditur jugun e Italisë, duke vrarë 298 njerëz. (Leunora Kaliqi, TVM2)