Raporti i “Duing business”, Kuçi: Rezultat motivues për vazhdimësinë e reformave
Rangimi i Maqedonisë në vendin e 10 në botë dhe në vendin e 5 në Europë në bërjen e biznesit...

Rangimi i Maqedonisë në vendin e 10 në botë dhe në vendin e 5 në Europë në bërjen e biznesit, sipas raportit të Bankës Botërore, është vlerësuar nga ministri i Ekonomisë si rezultat i pritshëm. Sipas tij, ky rezultat motivon institucionet të vazhdojnë në realizimin e reformave.
“Jemi këtu të motivuar nga ky rezultat të nxitur që akoma më shumë të bëjmë reforma ekonomike, që si vend të avancohemi akoma më shumë në këtë raport, të përmirësojmë klimën dhe të krijojmë kushte më të volitshme për investime të huaja dhe kushte më të volitshme për biznese të suksesshme në RM”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi.
Ministri për Investime të Huaja, Rilind Zeqiri, thotë se zonat e lira ekonomike janë një mundësi e mirë për investuesit e rinj.
“Zona e Lirë Ekonomike e Tetovës është një storie e suksesshme, ku me një kompani do të ketë 3000 të punësuar, ku ata do të kenë mundësi që atë ditë që do të bëhet hapja solemne të konkurrojnë, d.m.th. më 3 nëntor. Të njëjtën do ta promovojmë në Cyrih, ku do të promovojmë kompaninë e madhe amerikane”,- tha ministri i Investimeve të Huaja, Rilind Zeqiri.
Por, edhe përkundër rangimeve dhe deklaratave të autoriteteve, kompanitë vendase ankohen se nuk trajtohen njësoj si investuesit e huaj.
“Është e vërtet se sado që të arsyetohemi në Maqedoni, ka dallim diskriminues mes investitorëve të huaj dhe të vendit, aq më tepër ne biseduam dhe me ministrat që përkrahje shtetërore t’u jepen dhe kompanive vendase përkrah projekteve infrastrukture dhe zhvillimore që bëhen në Maqedoni, përkrahja shtetërore duhet të jetë e hapur”,- theksoi pronari i Kompanisë “Dauti Komerc”, Xhemali Dauti.
Ministrat thanë se bizneset vendore janë shumë të rëndësishme dhe këtë e tregon edhe përkujdesi i vazhdueshëm që ata kanë për kompanitë vendore, por gjithashtu të rëndësishme janë edhe investimet e huaja dhe politikat qeveritare janë të përqendruara në të dyja segmentet. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
