Gripi sezonal, mjekët rekomandojnë vaksinim dhe kujdes
Ndryshimet e periudhave klimaterike dhe ndërrimi i stinëve...

Ndryshimet e periudhave klimaterike dhe ndërrimi i stinëve, përcillen me çrregullime shëndetësore, si molisje, kokëdhembje, temperaturë të lartë, dhimbje të muskujve, humbje të aftësisë fizike për punë, koncentrimit psikik dhe humbje oreksi.
Gripi sezonal paraqitet nga fundi i dhjetorit dhe mbaron më 1 Maj, prandaj në këtë periudhë duhet të bëhen përgatitjet për parandalimin e kësaj sëmundje që të mos marrë përmasa epidemike. Ky virus parandalohet nëpërmjet vaksinimit, i cili në vendin tonë ka fillua nga dita e sotme.
“Virusi është jo për të nënçmuar për shkak të simptomatologjisë dhe te pacientët të cilët lëngojnë prej sëmundjeve kronike, por edhe pacientët e shëndoshë, në moment bie imuniteti i tyre, mund të paraqiten komplikime të ndryshme. Ato komplikime fillojnë me infeksione të sistemit të frymëmarrjes dhe mbarojnë me pleumoni ose gjendje septike, komplikime shumë të rënda që për fat të keq jo rrallë herë kemi pasoja vdekjeprurëse”,- tha mjeku, Sedat Lumani.
Lumani thotë se personat e infektuar duhet të qëndrojnë nëpër ambiente të mbyllura që të mos e përhapin virusin sezonal. Kategoria më e rrezikuar janë personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe pleqtë, prandaj kjo vaksinë u rekomandohet ta marrin të njëjtët.
“Gripi është sëmundje infektive, i cili përcillet me anë të frymëmarrjes, pra duhet një kompetencë në të rriturit për fëmijët të cilët mund të infektohen prej një njeriu të sëmurë, duhet të kemi kujdes nëpër organizatat punonjëse, ku ka njeri të sëmurë dhe që të evitohet duhet të largohet përafërsisht një javë deri në dhjetë ditë”,- theksoi mjeku, Sedat Lumani.
Viruset e gripit zhvillohen jashtëzakonisht shpejt, prandaj është i nevojshëm vaksinimi çdo vit, që trupi të mund të mbrohet nga format e reja të viruseve. Pas vaksinimit, sistemi i imunitetit do të prodhojë antitrupa, të cilat do t’ju mbrojnë nga viruset. Megjithatë, niveli i antitrupave zvogëlohet me kalimin e kohës, prandaj vaksinat duhet të merren çdo vit. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)
