Votë në OKB për një marrëveshje të re për ndalimin e armëve bërthamore

28.10.2016 11:54

Një Komitet i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së...

Një komitet i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka votuar për fillimin e negociatave për një marrëveshje të re që do të ndalojë armët bërthamore, përkundër kundërshtimeve të forta të fuqive botërore bërthamore.

Rezoluta e sponsorizuar nga Austria, Irlanda, Meksika, Nigeria, Afrika Jugore dhe Brazili u votua me 123 vota për dhe 38 kundër, duke bërë thirrje që negociatat për një marrëveshje të re të fillojnë në muajin mars.

Ajo shpreh shqetësimet për “pasojat katastrofike njerëzore me përdorimin e cilësdo armë bërthamore”. Katër nga pesë fuqitë bërthamore në Këshillin e Sigurimit – Britania, Franca, Rusia dhe ShBA-ja, votuan kundër rezolutës, ndërkohë që Kina abstenoi, siç bënë edhe Pakistani dhe India.

Kundërshtarët argumentuan se çarmatimi bërthamor duhet të adresohet brenda negociatave për Traktatin e mospërhapjes së armëve bërthamore.

Beatrice Fihn, drejtoresha ekzekutive e Fushatës Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Bërthamore, e përshkroi votimin si një “moment historik” në përpjekjet e disa dekadave për një botë të lirë pa armë bërthamore.

Rezoluta pritet që t’i dërgohet Asamblesë së Përgjithshme në dhjetor.