RDK e Zendelit vendosi: Jo “Aleancës për shqiptarët”, në zgjedhje me “Besën”, Mehmedi: Vulat E RDK-së i kam unë, Zendeli është i “Besës”

28.10.2016 12:58

Krahu i RDK-së, që drejtohet nga Fadil Zendeli....

Krahu i RDK-së, që drejtohet nga Fadil Zendeli, e ka mbajtur mbledhjen e radhës të Kuvendit Qendror, në të cilën u soll vendimi për pezullimin e pjesëmarrjes së RDK-së në koalicionin “Aleanca për shqiptarët”.

“LR-PDSh dhe kryetari i saj nuk reflektuan konstruktivitet bashkëpunimi me organet legjitime të RDK-së dhe zgjodhën të bashkëpunojnë me kryetarin e shkarkuar nga kuvendi i RDK-së”,- thuhet në kumtesë. Gjithashtu është miratuar edhe platforma politike e hartuar nga grupet punuese të RDK-së dhe Lëvizjes “Besa”, që është ofertë e përbashkët me të të cilën RDK dhe Lëvizja “Besa” do të garojnë në zgjedhjet e radhës, thonë nga RDK-ja e Zendelit.

Por, kryetari i RDK-së, Vesel Memedi, përkujton se vulat e partisë i ka ai dhe Zendeli nuk është regjistruar në Gjykatë si RDK, por vetëm po tregon qartë se do të dalë si kandidat i Lëvizjes “Besa” në zgjedhjet e 11 dhjetorit.

“Ligji është shumë i qartë se kush është i regjistruar në Gjykatë dhe kush e ka vulën, ai është legjitim për të garuar në zgjedhje. Nuk është asgjë diskutabile për shkak se ai në zgjedhjet e 11 dhjetorit do të dalë si kandidat në listën e “Besës” e jo të RDK-së”,- thotë Mehmedi.

Sipas tij, për të gjitha mashtrimet e Fadil Zendelit është ngritur padi tek Prokuroria Publike në Shkup dhe Tetovë për manipulim me opinionin publik. (Ersan Paraziti, TVM2)