Subvencione për gratë sipërmarrëse, Kadriu: Na duhen më shumë projekte të tilla; Kuçi: Subvencionuam 86 kompani që udhëhiqen nga gratë
Subvencionimi është shumë i rëndësishëm për bizneset e reja....

Subvencionimi është shumë i rëndësishëm për bizneset e reja, sidomos për gratë sipërmarrëse.
Atelia “M-kontur” e Mila Kadriut, është fituese e një shume modeste nga subvencionet që ndahen për gratë sipërmarrëse. Ajo thotë se subvencionet janë shumë të rëndësishme, sidomos për funksionimin e sipërmarrjeve të udhëhequra nga gratë.
“Unë isha aplikante në projektin që organizonte Ministria e Ekonomisë për subvencionim, ato mjete do të shpërndahen për zhvillim ose rritjen teknologjike dhe për ndërrimin e makinave. Këto projekte janë të mirëseardhura. Çdo herë mbështetje na duhen për të ecur përpara dhe na duhen më shumë projekte të tilla”,- tha dizanierja, Mila Kadriu.
Para disa ditësh janë ndarë subvencione për 23 kompani të profileve të ndryshme. Këtë vit ndihmat financiare u përqendruan për gratë sipërmarrëse për t’i motivuar të hapin bizneset e tyre.
Ministri Kuçi tha se subvencionet për sipërmarrësinë e grave do të rriten.
“Ministria e Ekonomisë për pesë vite me radhë ka subvencionuar gjithsej 86 kompani të udhëhequra nga gratë me gjithsej 7 milionë denarë, që kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse në Maqedoni janë të regjistruar 20 mijë kompani të udhëhequra nga gratë dhe ato punësojnë rreth 50 mijë njerëz”,- theksoi ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi.
Ministri Kuçi pranon që shumat janë modeste, por fton gratë sipërmarrëse të konkurrojnë në projekte të tilla, pasi subvencionet janë një mbështetje e mirë për fillimin e bizneseve të reja. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
