Unaza e Shkupit, LSDM: Tre muaj pas përmbytjeve, asgjë s’është bërë
Kaluan gati tre muaj të përmbytjeve katastrofike....

Kaluan gati tre muaj të përmbytjeve katastrofike që kanë marrë 23 jetë të bashkëqytetarëve tanë, unaza është e dëmtuar ende dhe asgjë nuk është bërë.
Duke pasur parasysh urgjencën, deri tani duhej filluar me përmirësim të gjendjes, theksoi sot në Stajkovc, Damjan Mançevski, nënkryetar i LSDM-së. Sipas tij rregullimi i unazës i është dhënë një firme të afërt me kreun e VMRO-së, që përmendet edhe në materialet e përgjuara.
“Tre muaj Qeveria nuk bëri asgjë, tani vendosi që punën për përmirësimin e gjendjes së unazës t’ia japë Kompanisë “Transmet”. Bëhet fjalë për ndërmarrjen, pronari i të cilës është një mik i ngushtë i Nikolla Gruevskit, Sead Koçan. Është i njëjti person që Gruevski e ka përmendur në “bombat” si ai me “Seat Ibiza”, kur bën dhe tenderë të tjera për të. Është një kompani që vetëm për vitin 2012 deri më sot nga shteti ka marrë më shumë se 63.4 milionë euro. Dhe, ky është i njëjti njeri që hapi TV NOVA-n me qëllim për ta lavdëruar Qeverinë para zgjedhjeve”,- deklaroi nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski.
