Kuvendi i Kosovës, miratohet rezoluta për vlerat e luftës së UÇK-së
Kuvendi i Kosovës ka miratuar draft-rezolutën për vlerat e luftës së UÇK-së....

Kuvendi i Kosovës ka miratuar draft-rezolutën për vlerat e luftës së UÇK-së.
Rezoluta u përgatit nga shefat e grupeve parlamentare të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe NISMA-s pas konfirmimit të dënimit ndaj 10 pjesëtarëve të UÇK-së të gjykuar në rastin e njohur si “Drenica 1 dhe 2”.
Në rezolutë, kuvendi zotohet se brenda gjashtë muajve do të miratojë Ligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj për çlirim.
Në rezolutë njëherit theksohet se pjesëtarët e UÇK-së ishin faktorë vendimtarë për sjelljen e lirisë dhe duhet të gëzojnë mbështetjen dhe vlerësimin e tyre të merituar institucional, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
“Të drejtat dhe liritë e njeriut, të garantuara me Kushtetutë dhe me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, duhet të zbatohen edhe për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë të drejtë për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe çdo qytetari u garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike. Të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi për t’i mbrojtur pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mund t’u nënshtrohen veprimeve diskriminuese, si rrjedhojë e të qenit pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kuvendi i Republikës së Kosovës u propozon institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë që t’i dekorojë për merita të veçanta komandantët dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në pajtim me Ligjin për dhënien e dekoratave. Kuvendi i Republikës së Kosovës zotohet që brenda gjashtë muajve do ta miratojë Ligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj për çlirim”,- thuhet në rezolutë.
Por, debati paraprak kaloi me polemika tejet të ashpra ndërmjet deputetëve, të pushtetit dhe opozitës. Madje, deputeti i PDK-së, Nuredin Lushtaku, në një moment i sulet deputetit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.
Kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka propozuar një rezolutë tjetër, në të cilën propozohej që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të futet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të mbrohet si vlerë; Kuvendi të shpreh mospajtimin me dënimin e ushtarëve të UÇK-së nga proceset gjyqësore të EULEX-it , kryesisht me prova të fabrikuara nga Serbia; Të mos njihet autoriteti i EULEX-it për ta gjykuar UÇK-në dhe të shfuqizohen nenet e Gjykatës Speciale të miratuara me 3 gusht të vitit 2015.
Kjo rezolutë u miratua pasi nuk u përkrah nga PDK dhe LDK, por vetëm nga Vetëvendosje, AAK dhe Nisma. (Gyltene Sinani, TVM2)
