Maqedoni
Konferencë shkencore në UT me temë: “Arsimi në shoqëritë me diversitete kulturore”
28.10.2016 16:32
“Arsimi dhe edukimi në shoqëritë me diversitete kulturore”, ishte tema e konferencës së katërt që organizohet nga UT...

“Arsimi dhe edukimi në shoqëritë me diversitete kulturore”, ishte tema e konferencës së katërt që organizohet nga UT në bashkëpunim me Universitetin “Kadri Zeka” të Gjilanit.
Konferenca tanimë është shndërruar në traditë dhe bashkëpunim mes këtyre dy institucioneve të larta arsimore, kështu tha rektori i UT-së, Vullnet Ameti, dhe prorektorja për çështje të edukimit pranë Universitetit të Gjilanit, Shpresa Qamili, në këtë konferencë.
“Fillimi i punimeve të kësaj konference ndërkombëtare që organizohet për të katërtën herë me radhë konfirmon angazhimin tonë të përbashkët që edhe në mjediset tona akademike të debatojmë, të paraqesim pikëpamjet tona intelektuale edhe për këto tema për pjesën dërmuese të shteteve të BE-së janë kryefjala e përparimit arsimor dhe shkencor. Në vendin tonë dhe në rajon arsimi përballet me sfida të shumta, por me koordinim të përbashkët dhe shfrytëzim të përvojave të njëri-tjetrit ne mund të synojmë arritjen e rezultateve cilësore”,- deklaroi rektori i UT-së, Vullnet Ameti.
“Tashmë tradicionale, kjo konferencë ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm tek akademikët, studiuesit dhe profesionistët e fushave të ndryshme. Andaj, edhe në këtë konferencë të radhës jemi të bindur se do të jepen kontribute të mëtejshme në pasurimin dhe konsolidimin e mendimeve shkencore. Rëndësia e organizimit të kësaj konference në fokus të veçantë ka arsimin dhe edukimin”,- tha prorektorja për çështje të edukimit në Universitetin “Kadri Zeka”-Gjilan, Shpresa Qamili.
Të pranishëm në konferencën e katërt shkencore “Arsimi dhe edukimi në shoqëritë me diversitete kulturore” ishin edhe shumë studiues, profesorë nga vendi dhe rajoni.
VISAR SADIKI
