Botë

Tërmeti në Itali, 100 lëkundje të reja gjatë natës

28.10.2016 20:03

Ka kaluar në ankth dhe panik edhe nata e mbrëmshme për banorët e Italisë qendrore, të cilët kanë dy ditë që kalojnë natën jashtë...

100 lëkundje sizmike janë regjistruar gjatë natës me magnitudë minimale 2 ballë në zonat e Markes dhe Umbrias.
 
11 prej këtyre lëkundjeve kanë pasur një magnitudë nga 3 deri në 3.5 ballë, kurse më e forta me magnitudë 4.13 ballë u shënua ne epiqendrën Fiordimonte, 10 km nga  epiqendra e tërmetit të dy ditëve më parë.
 
Fatmirësisht nuk ka pasur shembje të tjera të banesave dhe as viktima.
 
Sakaq banorët, të terrorizuar nga tërmetet e shpeshtë, po kalojnë netët  në qendrat provizore të ngritura nga autoritet si pallate sporti, apo në rastin më të keq edhe në tenda jashtë.
 
Sfida qëndron pikërisht në këtë pikë, strehimi afatgjatë i banorëve.
 
Shumë shkolla do të qëndrojnë të mbyllua deri më 31 tetor për t’iu nënshkruar verifikimit të inspektimeve. 40 milionë euro janë ndarë  për zonat e prekura. 
 
Italia qendrore, veçanërisht Amatrice, ende po i vuan pasojat e tërmetit të 24 gushtit, i cili shkaktoi 300 viktima dhe la mijëra të pastrehë.