OKB: ISIS ka ekzekutuar 232 njerëz në Mosul
Militantët e “Shtetit Islamik” kanë ekzekutuar së paku 232 njerëz në Mosul të Irakut, njofton Zyra e shefit për të drejta të njeriut e OKB-së, Zeid Ra’ad al-Hussein...

Duke folur në Gjenevë, zëdhënësja Ravina Shamdasani tha po ashtu se “Shteti Islamik” është duke sjellë “dhjetëra-mijëra civilë irakianë” në Mosul, për t’i përdorur si mburoja njerëzore, derisa forcat qeveritare dhe kurde po luftojnë për rikthimin e kontrollit të qytetit.
Shamdasani tha se 232 njerëz janë ekzekutuar më 19 tetor dhe se 190 prej viktimave kanë qenë ish-zyrtarë të forcave të sigurisë të Irakut.
Dyzet e dy prej viktimave kanë qenë civilë që kanë refuzuar t’iu binden urdhrave të “Shtetit Islamik”.
Ajo tha se për shkak të vështirësive në konfirmimin e informacioneve nga brenda qytetit, numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.
