Maqedoni

Lista zgjedhore, kontrolli publik deri më 11 nëntor

29.10.2016 17:32

Kontrolli publik në listën e votuesve do të zgjasë deri më 11 nëntor...

Qytetarët do të mund të kontrollojnë se a janë të evidentuar për realizimin e drejtës së votës në web faqen e KSHZ-së ose në njësitë rajonale.
 
Të drejtë për të kontrolluar të dhënat personale kanë 1 milion e 783 mijë e 734 persona. Përpos tyre kontrollin e të dhënave mund ta bëjnë edhe 29 mijë personat të cilët u kontestuan nga kontrollet e fundit  dhe nuk figuronin në listë. 
 
“Paraqitja personale e këtyre personave bëhet në të gjitha zyrat rajonale të kshz-së si dhe në komisionin shtetëror të zgjehdjeve këtu në Shkup dhe gjatë paraqitjes personale këto persona obligohen që me vete të marin letërnjoftim valid ose pasaportë valide për të kryer identifikimin e tyre para personave zyrtar”, tha Admir Shabani, zëdhënës i Kshz-së.
 
Në rrjedhë është edhe paraqitja e qytetarëve të diasporës. Nëse ata dëshirojnë të votojnë këtë mund ta bëjnë në ambasadat dhe përfaqësitë konsullare ose të plotësojnë aplikacion elektronik.
 
Deri më tani kanë aplikuar 3 mijë e 300 persona. Në mesnatë skadon afati për formimin e bordeve zgjedhore për votim në diasporë. Sipas afateve të parapara deri më gjashtë nëntor vazhdon afati për grumbullimin e së paku një mijë nënshkrimeve për listat e deputetëve të pavarur.
 
Nga KSHZ informojnë se deri më tani vetëm në njësinë e dytë zgjedhore po grumbullohen nënshkrimet. Ndërkaq partitë politike listat e kandidatëve do te duhet ti dorëzojnë më së voni deri më 11 nëntor. Fushata fillon më 21 nëntor.
 
MERAL ISMAILI