Botë
Tjetër tërmet godet Italinë. Shemben ndërtesa, disa të plagosur
30.10.2016 12:43
Vetëm pak ditë pas lëkundjeve të forta të 26 tetorit, toka u trondit sërish në zonën qendrorë të Italisë...

Këtë herë, tërmeti me magnitudë 6.5, me epiqendër në Umbria, po në qendër të Italisë, është regjistruar në thellësinë 10 km dhe u ndie nga Jugu në Veri të vendit, madje deri në Austri.
Tani për tani nuk ka lajme për viktima, raportohet vetëm për 10 të plagosur, prej të cilëve njëri në gjendje të rëndë. Dëmet materiale janë të mëdha, kryesisht në zonat e goditura disa herë nga tërmetet e fundit.
Në Norcia është rrëzuar katedralja, ndërsa në qytezën fqinje San Benedetto, bazilika qendrore. Janë shënuar gjithashtu probleme në qarkullim për shkak të shkëmbinjve që kanë zënë rruget, ndërsa disa linja hekurudhore të zonave qendrore janë mbyllur për kontrolle. Lëkundjet e tokës I kanë ndjerë edhe banorët e Romës, Kroacisë, Sllovenisë dhe Bosnjë Hercegovinës.
“E gjithë shtëpia lëkundej nga tërmeti, ishte vërtet tmerr dhe trishtuese”…
“Po e ndjeva tërmetin, bashkëshortja ime ishte shumë e shqetësuar, Kjo është ndjenjë që nuk do të doja asnjëherë të përsëritet”...
“Autoritetet thonë se ka informacione për ndërtesa të rrënuara dhe të lënduar por fatmirësisht nuk ka viktima në njerëz”, thanë qytetarët.
“Momentalisht nuk kemi informacione për viktima, disa njerëz janë lënduar ndërsa një numër I madh I rrugëve janë mbyllur. Për ti shpëtuar të lënduarit në zonat e goditura janë përfshirë edhe helikopterë. Një numër I madh I shtëpive paraprakisht janë evakuuar për shkak lëkundjeve të forta dhe ekipet e shpëtimit janë në teren dhe intensivisht po kërkohen njerëz nën gërmadha”, tha një zëdhënës i mbrojtjes civile.
“Ka disa pjesë që janë rrënuar dhe qasja në to është e pa mundur. E kontrollojmë terenin dhe shpresojmë se nuk do të gjejmë viktima”, u shpre një zjarfikës.
Në Romë ku lëkundjet u ndienë shumë, janë mbyllur bazilikat qendrore, pallati presidencial dhe për disa orë stacionet e metropolitanës.Tërmeti i mëngjesit të sotëm ishte edhe më i forti që godet Italinë muajt e fundit, që prej 24 gushtit kur mbetën të shkatërruara Amatrice dhe Accumuli, si dhe humbën jetën thuajse 300 vetë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
