E-mailet e Clintonit, demokratët akuzojnë FBI-në
Pas vendimit të marrë nga FBI-ja për rihapjen e dosjes së ashtuquajtur skandali i e-maileve...

Pas vendimit të marrë nga FBI-ja për rihapjen e dosjes së ashtuquajtur skandali i e-maileve, që lidhet me kandidaten Hillary Clinton, lideri i demokratëve në Senatin amerikan, Harry Ried, ka akuzuar drejtuesin e Byrosë Federale të Investigimit, James Comey, për shkelje të Ligjit federal të Shteteve të Bashkuara, e më saktësisht të pikës e cila parashikon që zyrtarët më të lartë amerikanë nuk duhet të përdorin autoritetin e tyre në një mënyrë që mund të ndikojë në rezultatin zgjedhor.
Ried ka arsyetuar se vendimi i Comeys për të publikuar pikërisht në këtë moment vendimin për rihapjen e dosjes është tejet selektiv, dhe, sipas tij, ka për qëllim që t’i bëjë favor njërit prej kandidatëve, si dhe të dëmtojë fushatën e kandidates tjetër.
Megjithatë, ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga ana e drejtuesit të FBI-së, James Comey.
Ky i fundit njoftoi disa ditë më parë se ekspertët kishin gjetur disa e-maile që lidheshin me çështjen e ish-sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, dhe se kishin nisur të analizonin materialet në fjalë, në mënyrë që të përcaktohet nëse ato janë ose jo materiale të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Që prej publikimit të këtij vendimi, demokratja Clinton ka shënuar rënie të konsiderueshme në sondazhe.
