Tërmeti në Itali 4 herë më i fuqishëm se bomba atomike në Hiroshima

31.10.2016 14:19

24 orë pas tërmetit, toka vazhdon të dridhet në Italinë Qendrore...

24 orë pas tërmetit, toka vazhdon të dridhet në Italinë Qendrore. Instituti sizmologjik ka regjistruar në orën 4.27 minuta të mëngjesit të sotëm një tjetër lëkundje të fortë tërmeti të shkallës 4.2 e rreth 114 lëkundje të tjera të shkallës nga 2-3 Richter.

Ka shkuar, ndërkohë, në 8 mijë numri i personave të asistuar gjatë natës nga punonjësit e Mbrojtjes Civile të Kryqit të Kuq.

Shumica e tyre janë strehuar në kampet e tendave, ndërsa mjaft të tjerë kanë fjetur në makina, në 21 pikat në zonat e hapura të etiketuara nga komunat.

Numri i të plagosurve vazhdon të mbetet rreth 20, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Sipas specialistëve, fuqia e dridhjes më të fuqishme është e barabartë me 80 mijë ton tritol, e katër herë më i fuqishëm se bombat atomike të hedhura në Hiroshima e Nagasaki në fund të Luftës së Dytë Botërore. Tërmeti i një dite më parë është ndjerë fuqishëm dhe në kryeqytetin italian, Romë, e gjatë ditës së sotme të gjitha shkollat janë mbyllur e po inspektohen për të verifikuar gjendjen e tyre dhe nëse kanë pësuar dëmtime. E mbyllur vazhdon të mbetet për turistët edhe Katedralja e Shën Palit, e cila ka pësuar krisje në kornizën e jashtme.

Departamenti i Mbrojtjes Civile informon se prej 24 gushtit e deri më 26 tetor kanë asistuar rreth 15 mijë banorë të zonave të prekura nga tërmeti, 4 mijë prej tyre janë strehuar në hotelet e brigjeve të Adriatikut  dhe 10 mijë të tjerë në strukturat e vëna në dispozicion nga strukturat lokale. (Gazmend Kurtishi, TVM2)