Botë
Turqi, arrestohet kryeredaktori i gazetës “Cumhuriyet”
31.10.2016 14:46
Policia turke ka prangosur kryeredaktorin e gazetën opozitare “Cumhuriyet”, si i dyshuar për lidhje me klerikun, Fethullah Gulen, dhe me militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit...

Murat Sabunçu është i fundit nga një seri gazetarësh me emër të kësaj gazete, që po hetohet. Ndërkohë që kontrolle janë ushtruar edhe në shtëpitë e pjesës tjetër të stafit të gazetës.
Sabunçu u arrestua mëngjesin e sotëm në Stamboll. Mandat-arreste janë lëshuar edhe për pjesën tjetër të stafit.
Arrestimi pason aksionin e fundjavës, gjatë së cilit janë mbyllur 15 agjenci mediatike, si dhe janë shkarkuar 10 mijë nëpunës civilë, mes tyre akademikë, mësues, punonjës të shëndetësisë, roje burgjesh dhe ekspertë mjekoligjorë.
Që prej korrikut, thuajse 110 mijë njerëz janë shkarkuar nga puna apo janë pezulluar, ndërsa 37 mijë të tjerë janë arrestuar. Kritikët akuzojnë presidentin Erdogan se po shfrytëzon gjendjen e emergjencës për të heshtur kundërshtarët e tij për pushtet. Por, Qeveria thotë se rrjeti i ndjekësve të Gulenit është aq i gjerë, saqë është i nevojshëm një spastrim i thellë i shoqërisë.
“Cumhuriyet” është gazeta më e vjetër në Turqi dhe konsiderohej si një prej të paktave të mbetura që prezantonte zërin e opozitës.
GAZMEND KURTISHI
