Maqedoni
"Jugohrom” ende pa filtra, sektori joqeveritar: Të mos i jepet afat shtesë
31.10.2016 15:22
Kombinatit “Jugohrom” sonte në mesnatë i përfundon afati shtesë që i dha qeveria për vendosjen e filtrave ekologjik...

Kjo kompani deri tani nuk ka respektuar asnjë nga afatet që ka marrë nga qeveria dhe e njëjta vazhdon të helmojë çdo ditë banorët e Pollogut, thonë nga Shoqata “Eko Guerilla”.
Nga kjo organizatë shprehin bindjen e tyre se edhe kësaj radhe “Jugohromit” do t’i jepet afat shtesë.
““Jugohrom” ka pasur më shumë se dy vite kohë për ta zgjidhur këtë problem, sepse Ligji që kërkon nga fabrikat të kenë filtra është nga viti 2005. Ajo që shohim në terren është se nuk ka as f nga filtrat. Çdo tentativë për t’i dhënë afat tjetër këtij ndotësi na jep dyshime serioze për një aferë të madhe korruptive në të cilën mund të jenë përfshirë të dy partitë qeveritare. Dyshojmë se qeveria ka mundësi edhe një herë të vendos në dëm të qytetarëve të Tetovës dhe në të mirë të profitit të disa oligarkëve”,- deklaroi Arianit Xhaferi “Eko Guerilla”.
Dëmi nga ndotja nuk është individual, por kolektiv, thonë nga shoqata “Nëna dhe fëmija”.
“Si zakonisht, prej vitit 2005 dihet se të gjithë industritë duhet të vendosin filtra dhe duhet të operojnë në bazë të standardëve ekologjike, është obligim i Ministrisë së Ekologjisë të ndjek këtë. Deri në vitin 2014 kanë pasur afat të vendosin filtra ato që nuk kanë vendosur. Për shkak se më vendimin e qeverisë vazhdohet afati, prandaj ne mendojmë se është e politizuar situata, nuk vendoset vetëm në mënyrë individuale dëmi, por në mënyrë kolektive”,- tha Elmedina Abdullahi nga Shoqata “Nëna dhe fëmija”.
Pas mosrespektimit të afatit për vendosjen e filtrave ekologjik, fati i Kombinatit “Jugohrom” është në duart e qeverisë, e cila të martën pritet të diskutojë për “Jugohromin”.
VISAR SADIKI
