Maqedoni
Standardi “hallall”, subvencione për gjashtë kompani
31.10.2016 16:52
Standardi "Hallall" nënkupton sigurim shtesë në industrinë ushqimore, se prodhimet ushqimore janë të shëndetshme...

Standardi "Hallall" nënkupton sigurim shtesë në industrinë ushqimore, se prodhimet ushqimore janë të shëndetshme, kualitative dhe se të njëjtat nuk përmbajnë elemente kancerogjene, prandaj kompanitë që implementojnë standardin “hallall” shtojnë cilësinë e prodhimeve të tyre, u tha gjatë ndarjes së vendimeve për pagesën e subvencioneve të gjashtë ndërmarrjeve vendase për zbatimin dhe certifikimin e sistemit "hallall".
Sipas tyre, marrja e kësaj certifikate ka rëndësi të veçantë, pasi që, me atë kompanitë do ta zgjerojnë biznesin e tyre edhe në vendet ku kërkohet implementimi i këtij standardi.
“Produktet tona janë të veçanta dhe me të vërtetë ndihemi shumë mirë që fituam këtë certifikatë, për shkak se tani mallin tonë mund ta shesim edhe në vendet ku kërkohet implementimi i standardit hallal”,- deklaroi përfaqësuesi i Kompanisë “Kendi”, Sllave Andev.
“Me marrjen e certifikatës, presim që prodhimet tona të eksportohen në vendet arabe. Për momentin kemi eksport në Bosnjë, Mal të Zi, Greqi, Serbi, Kroaci, e kështu me radhë, me këtë certifikatë presim dhe jemi në bisedime që prodhimet tona t’i eksportojmë në Dubai”,- tha Risto Mihajllov nga Kompania “Gudasmith”.
Vendimet u ndanë nga ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi, i cili bëri të ditur se për secilën ndërmarrje do të ndahet një shumë prej 1 milion e 62 mijë denarë.
“Objektivi kryesor është të përmirësohet konkurrenca dhe të hapen mundësitë për të hyrë në tregjet e reja. Futja e këtij standardi ofron vlera të shumta për shërbimet tuaja, i ofron produktet me sinonim ushqim të shëndetshëm, që domethënë ushqim me sasi minimale të adititëve”,- theksoi ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi.
“Ky sistem është sinonim i ushqimit të shëndoshë, ku preokupim i çdo qytetari, pra të gjithë konsumatorët para së gjithash preokupim kanë që çdo ushqim që e marrin, që e konsumojnë, të jetë i shëndoshë dhe të ndihmojë në shëndetin e njeriut”,- u shpreh kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
“Nga numri i konkurrentëve mund të konkludohet se tashmë në vendin tonë tek kompanitë e shumta gjithnjë e më shumë është në rritje interesimi për plotësimin e këtij standardi”,- tha kryetari i Agjencisë për implementimin e standardit “hallall”, Muhamer Veseli.
Kompanitë që përfituan certifikatën “hallall” për këtë vit janë: “Aneta Kompani” – Shkup, “Via Prom” – Ohër, “Hit 73 Kamenjane” – Bogovinjë, “Vitaminka” – Prilep, “Kendi Dooel” – Shkup, “Gudas Mit” – Shkup.
ERSAN PAJAZITI
