Maqedoni

Dita Botërore e Kursimit

31.10.2016 17:13

Sot shënohet Dita Botërore e Kursimit, 31 tetori...

Por, kursimet janë të mundura vetëm për ata që me të ardhurat e tyre mujore arrijnë të mbulojnë shpenzimet dhe përsëri u ngel diçka në xhep.
 
Shumë qytetarë të Shkupit të anketuar sot nga TVM2 thonë se shpenzimet e mëdha të jetesës dhe varfëria në përgjegjësi nuk i lejojnë që të ndajnë asnjë qindarkë anash.
 
“Kur nuk ke të holla, çfarë mund të kursesh”,- u shpreh një qytetar.
 
“Nuk kemi para, çfarë të kursejmë? Unë jam pensionist dhe çfarë pret prej meje të kursej”,- tha një qytetar.
 
“Shumë e vështirë është të kursesh. Vështirë është të mbijetosh, e jo të ndash para anash. Të gjithë kemi borxhe, fatura të papaguara, kjo gjë nuk vjen në pyetje”,- theksoi një qytetar.
 
“Unë me të vërtetë dua të kursej, por nuk kam mundësi për një gjë të tillë. Më herët po, kam kursyer, por 2-3 vitet e fundit nuk mundem të ndaj asnjë qindarkë anash, standardi i jetesës është shumë i shtrenjtë, andaj nuk mundem të kursej”,- theksoi një qytetar.
 
“Kohëve të fundit të holla në asnjë mënyrë nuk mund të ndash anash. Mundesh me shumë vështirësi të kesh për të mbijetuar, por për diçka më shumë jo. Kjo është jetesa e sotme”,- tha një qytetar.
 
Ministria e  Financave dhe Shoqata e Bankierëve thonë se këtë vit, për shkak të krizës politike, spekulimet për devalvim të denarit dhe kriza e refugjatëve kanë ndikuar në realizimin e një rritje të ulët të kursimeve nga ana e qytetarëve, e madje edhe deri te tërheqja e depozitave bankare. 
 
“Përfshirë muajin shtator të 2016-ës, depozitat e popullatës janë mbi 213 miliard denarë dhe realizuan rritje vjetore prej 1,3 për qind. Arsyeja për nivelin e ulët të depozitave të popullatës është ndikimi i krizës politike, spekulimet për devalvim eventual të denarit dhe ndikimi i krizës së refugjatëve, e cila solli deri në tërheqjen e depozitave, posaçërisht në muajit prill dhe maj”,- deklaroi ministri i Financave, Kiril Minovski.
 
“Dua të konstatoj se kursimi në këtë periudhë është në rritje e sipër. Nga ky vend dua t’u apeloj kursimtarëve se sistemi bankar është stabil, i sigurt dhe likuid, dhe se depozitat e tyre janë të sigurta, ndërsa ne jemi të gatshëm të kreditojmë popullatën dhe kompanitë në të ardhmen për të arritur rezultate më të mira ekonomike”,- u shpreh Kosta Mitrovski nga Shoqata e Bankierëve.                                                        
Me rastin e Ditës Botërore të Kursimit, Shoqata e Bankierëve pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë ndau mirënjohje për shërbyesit më të mirë të bankave dhe kursimtarëve për rezultatet e arritura gjatë vitit të kaluar.
 
Dita Botërore e Kursimit festohet si kujtim i kongresit të parë ndërkombëtar të kursimtarëve të mbajtur në këtë ditë në vitin 1924 në Milano. Në atë kohë pjesëmarrësit kanë rënë dakord se kursimi është shumë i nevojshëm për zhvillimin e njerëzimit, si dhe për ringjalljen e luftës kundër shfrenimit.
 
REXHEP QAMILI