Maqedoni

Spasov aksidentohet me veturë zyrtare, Remenska kërkon dorëheqjen e tij

31.10.2016 17:55

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Frosina Remenski, ka kërkuar dorëheqje urgjente të zëvendësministrit shtesë, Dime Spasov...

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Frosina Remenski, ka kërkuar dorëheqje urgjente të zëvendësministrit shtesë, Dime Spasov, pas incidentit të së shtunës, në të cilin ai me veturën e Agjencisë për Punësim ka shkaktuar dy aksidente trafiku. 
 
“Për qëllime dhe interesa private, në mënyrë të paligjshme, ka shfrytëzuar automjetin e Agjencisë për Punësim të Republikës së Maqedonisë, gjë që nuk ekziston as nuk mund të ekzistojë në ndonjë dokument, si dhe ka shkaktuar dëme materiale në automjetin që ka shfrytëzuar, por edhe tek automjetet tjera që ka goditur. Ai në mënyrë të paligjshme ka shpenzuar paratë e karburantit të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për automjetin që nuk është në pronësi të ministrisë. Është arratisur nga policia, me çka ka penguar veprimin e policisë për përcaktimin e gjendjes së tij psikofizike dhe jashtë çdo etike dhe morali ka nxitur një person tjetër të punësuar në ministri, që nuk është vozitës, ta marrë përsipër përgjegjësinë për sjelljen e tij të pandërgjegjshme”,- deklaroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Frosina Remenski.
 
Ajo tha se Spasov ka shfrytëzuar pesë makina zyrtare. Sipas saj, “Tuaregu”, të cilin e ka shfrytëzuar të shtunën Spasovi, është i Agjencisë për Punësim. Ai ka shfrytëzuar edhe tre makina tjera që Qeveria ia ka dhuruar agjencisë.
 
 
Po ashtu, Remenska tha se zëvendësministrit plotësues, Dime Spasov, do t’i merret kartela zyrtare për karburant me limit deri më 30 mijë denarësh. 
 
Gjatë ditës së sotshme Spasov nuk është paraqitur në punë. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ