Thaçi nënshkroi Ligjin për “Trepçën”
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka nënshkruar Ligjin për “Trepçën”...

Nënshkrimi i presidentit pason vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e rrëzoi kërkesën e Listës Serbe për anulimin e këtij ligji.
“Sapo nënshkrova Ligjin për “Trepçën” pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kosova është vendburim i minierave e mineraleve të shumta, por “Trepça”, si pasuri nacionale, vazhdon të mbetet e rëndësisë strategjike për ne”,- ka shkruar Thaçi në rrjetin social Facebook.
“Ligji i ri mundëson ristrukturimin e “Trepçës” dhe është në funksion të ngritjes së mirëqenies sociale për banorët e asaj ane dhe tërë Kosovës. Minatorëve u jemi përgjithmonë mirënjohës, sepse me punën dhe sakrificën e tyre e mbajtën gjallë këtë gjigant të ekonomisë sonë”,- ka thënë Thaçi.
Tani, mbetet që ky ligj të publikohet edhe në gazetën zyrtare, me çka do të konsiderohet se ka hyrën në fuqi.
