Botë
Trupat irakiane nisin sulmin tokësor në paralagjet e Mosulit
01.11.2016 10:46
Një betejë e ashpër ka filluar në Mosul kur trupat irakiane kanë nisur një, siç vlerësohet, sulm tokësor në një paralagje të qytetit...

Një betejë e ashpër ka filluar në Mosul kur trupat irakiane kanë nisur një, siç vlerësohet, sulm tokësor në një paralagje të qytetit – sulmi i parë i tillë në dy javë, që kur ka nisur operacioni për marrjen e Mosulit nga militantët e të ashtuquajturit Shtet Islamik.
Luftimet filluan në agun e 1 nëntorit kur trupat qeveritare irakiane që avancuan ditën e kaluar deri në një kilometër në afërsi të Mosulit shtinë me artileri të rëndë, me tanke dhe mitralozë mbi pozicionet e IS-it në cepin e paralagjes Gogjali në lindje të Mosulit.
Militantët iu kundërpërgjigjën me raketa antitank dhe të shtëna armësh në një përpjekje për të penguar avancimin e forcave qeveritare irakiane.
Sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kanë mbështetur sulmin e qeverisë irakiane.
Militantët i kanë vënë flakën gomave që kanë lëshuar një tym të zi në ajër, në përpjekje për të penguar pamjen e qytetit nga avionët.
Trupat irakiane kanë shtënë me mortaja në një paralagje industrial në pjesën lindore të qytetit për disa ditë me radhë.
Por, avancimmi drejt Gogjalit do të shënojë herën e parë që prej vitit 2014, që forcat qeveritare irakiane do të fusin këmbën e tyre në qytetin e Mosulit.
Ndërkohë autoritetet e rajonit të Kurdistanit në Irakun verior kanë arrestuar një gazetar japonez që po njoftonte për betejën.
Zëdhënësi i qeverisë japoneze, Yoshihide Suga, ka konfirmuar se gazetari Kosuke Tsuneoka është arrestuar.
Suga tha se autoritetet japoneze po provojnë të përcaktojnë arsyet e ndalimit.
Agjencia japoneze e lajmeve Kyodo njoftoi se tsuneoka po mbahet nga luftëtarët peshmerga./evropaelire
