Botë

MPJ u apelon shtetasve të Kosovës të shmangin udhëtimet nëpër Serbi

01.11.2016 11:37

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes një komunikate me shkrim...

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes një komunikate me shkrim, ka shprehur shqetësimin e saj të thellë pas arrestimit në Serbi të shtetasit të Kosovës, Hilmi Kelmendin, duke apeluar te shtetasit e Kosovës që të shmangin udhëtimin nëpër Serbi. 
 
Kelmendi u arrestua deri sa po udhëtonte transit nëpër Serbi në drejtim të Gjermanisë. 36- vjeçari u arrestua në bazë të një urdhri të gjykatës për dyshimin se ka kryer krime lufte gjatë viteve 1998-1999 në luftën e Kosovës.
 
Nën akuzën e njëjtë në fund të shtatorit u arrestua edhe drejtori i Policisë së Kosovës në zonën veriore të Mitrovicës, Nehat Thaçi.
 
“Pas ndalimit të nënkolonelit të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, javë më parë dhe akuzave politike ndaj tij, arrestimi i radhës është i papranueshëm dhe i rrezikon shumë proceset e arritura gjatë periudhës së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”,- thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.
 
MPJ e Kosovës thotë se do të vazhdojë ta përcjellë këtë situatë të re të krijuar dhe absurde me Serbinë, “duke e ngritur në nivelet më të larta me miqtë ndërkombëtarë, ShBA-të dhe BE-në, si dhe tek të gjitha shtetet mike”. 
 
Njëherit nga kjo ministri u bëjnë thirrje të gjithë shtetasve të Kosovës, të cilët për çfarëdo arsye e zgjedhin Serbinë si vend transit gjatë muajve të ardhshëm, ta shmangin atë maksimalisht.
 
“Ky arrestim është i papranueshëm dhe rrezikon shumë procese të arritura gjatë dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë’’,- thonë nga Ministria e Jashtme e Kosovës
 
Njëkohësisht, MPJ paralajmëron se do të kërkojë edhe nga shtetet e tjera në rajon dhe BE që të mos i marrin parasysh fletarrestimet e Serbisë për qytetarët e Kosovës.

GYLTENE SINANI