Ushtria irakiane futet në Mosul, vazhdon rezistenca e fuqishme e ISIS-it
Forcat irakianë kanë hyrë së fundmi në qytetin e Mosulit...

Forcat irakianë kanë hyrë së fundmi në qytetin e Mosulit, por kanë hasur në një rezistencë të fuqishme nga ana e ekstremistëve të “Shtetit Islamik”, që po bëjnë përpjekje maksimale për të mos lejuar futjen e ushtarëve irakianë në brendësi të qytetit.
Aktualisht ushtria po avancon në dy fronte, respektivisht në pjesët lindore dhe jugore të qytetit. Ata po mbështeten nga Shtetet e Bashkuara përmes bombardimeve ajrore si dhe në terren nga grupimet me militantë kurdë.
Më herët, kryeministri i vendit, Haider al-Abadi, u bëri thirrje ekstremistëve që të dorëzohen, pasi, siç tha ai, në rast të kundërt ata i pret vdekja. Shqetësimi më i madh në këtë operacion delikat vijojnë të mbeten qytetarët, të cilët mund të përdoren si mburoja njerëzore nga luftëtarët e ISIS-it.
Shumë banorë janë larguar nga zonat ku janë zhvilluar përplasjet e armatosura, por një pjesë e konsiderueshme nuk janë lejuar nga ekstremistët. (Leunora Kaliqi, TVM2)
