Frederick Ben Hodges: Integrimi euroatlantik përmirëson stabilitetin
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin ushtrinë e Maqedonisë...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin ushtrinë e Maqedonisë në trajnime dhe misione ndërkombëtare, e cila do të ndihmojë perspektivën euroatlantike të këtij vendi, deklaroi komandanti i përgjithshëm i Forcave tokësore të ShBA-ve në Europë, Frederick Ben Hodges, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni.
Ai gjithashtu tha se integrimi i plotë në NATO do të përmirësojë stabilitetin e Maqedonisë dhe më gjerë.
“Unë jam i impresionuar nga shefi i shtabit të përgjithshëm dhe oficerët tjerë, ministri i Mbrojtjes dhe civilët tjerë që punojnë në ministri, por edhe nga vendosmëria që Maqedonia të vazhdojë rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik. Mendoj se me integrimin e plotë të Maqedonisë në strukturat euroatlantike do të përmirësohet siguria dhe stabiliteti në Europë dhe rajon”,- tha komandanti i Forcave tokësore të ShBA-ve në Europë, Frederick Ben Hodges.
Shefi i Shtabit të ARM-së, Metodija Veliçkovski, theksoi se pjesëmarrja e forcave të ARM-së në misionin e fundit ndërkombëtar “Anakonda” dëshmon se Maqedonia është duke ecur në rrugën e duhur.
“Ne bashkërisht shprehëm kënaqësi për bashkëpunimin e ushtrive tona dhe e vlerësuam atë si të shkëlqyer. Megjithatë, shpalosëm hapësirë dhe mundësi për bashkëpunimin e mëtejshëm, kryesisht në fushën e edukimit dhe trajnimeve ushtarake, për të cilën presim që mbështetja të vazhdojë si në këtë vit gjithashtu edhe gjatë vitit të ardhshëm”,- theksoi shefi i Shtabit të ARM-së, Metodija Veliçkovski.
Gjenerali Hodges paraprakisht ka realizuar një takim edhe me ministrin e Mbrojtjes, Zoran Jolevskin, dhe më pas ka vijuar takimi midis dy delegacioneve ushtarake. (Naim Ramadani, TVM2)
