Maqedoni
Partitë hartojnë listat për deputetë
01.11.2016 17:23
Partitë politike siç duket do të presin afatin e fundit për të dorëzuar listat me kandidatë për deputetë...

Deri tani, veç Partia Demokratike Shqiptare ka publikuar listat. Bashkimi Demokratik për Integrim do të presë 11 nëntorin për të publikuar listën e kandidatëve për zgjedhjet e 11 dhjetorit.
Partia e Ahmetit ka prezantuar vetëm kandidatin për deputet në diasporë, Xhevdet Spahiun. Për kandidatët e tjerë nuk përjashtojnë mundësinë që në lista të jenë edhe ish deputetë dhe ish zyrtarë të tjerë, por, sipas tyre, me rëndësi është fakti që kandidatët të jenë të gatshëm për të realizuar platformën e BDI-së.
Nga partia e Ahmetit këtë mandat e konsiderojnë mandat në të cilin do të përmbyllen temat që kanë filluar në vitin 2002 me Marrëveshjen e Ohrit.
LSDM ka njoftuar se kandidatët e saj për deputetë do t’i prezantojë në kongresin partiak të së dielës. Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë kreu i partisë, Zoran Zaev.
Heshtje në VMRO-DPMNE. Ajo që dihet nga kjo parti është se Gruevski mbetet lokomotiva e partisë edhe në këto zgjedhje, pavarësisht akuzave për keqpërdorim pushteti.
Edhe partitë e reja shqiptare, të cilat janë deklaruar se do të garojnë në këto zgjedhje si dy koalicione të ndara, sipas të gjitha gjasave do të shfrytëzojnë afatin e fundit për të prezantuar listat me kandidatë për deputetë.
SHPËTIM NUREDINI
