Maqedoni
LSDM: Borxhi publik kaloi 50% të BPV-së; Ministria e Financave: Gjysmën e borxhit e bëri LSDM, të tregojë pse
01.11.2016 18:11
LSDM ka akuzuar qeverinë se në 9 muajt e fundit e ka rritur borxhin publik në gjysmë miliardë euro...

LSDM ka akuzuar qeverinë se në 9 muajt e fundit e ka rritur borxhin publik në gjysmë miliardë euro dhe ka paralajmëruar se do të ketë revizion për të gjitha huamarrjet me të cilat ngarkohen qytetarët.
“Secili nga qytetarët e Maqedonisë tani ka borxh 2.274 euro, çdo bebe lind me borxh prej 2.274 eurosh. Borxhi publik e kaloi 50% e BPV-së, siç parashikoi edhe Banka Botërore, e cila shprehu shqetësim për këtë fakt”,- thonë nga LSDM.
Opozita përkujton se prej sot fillon borxhi i ri i Ministrisë së Financave në tregun vendor prej 61.5 milion eurosh.
Ka reaguar edhe Ministria e Financave. “Në vitin 2005 borxhi i shtetit ishte 2 miliardë euro, gjysma e asaj për të cilën LSDM kërkon revizionim është trashëgim prej qeverisjes së LSDM-së”,- thonë nga resori i Financave.
Nga kjo ministri i apelojnë LSDM-së të tregojë përse janë marrë kreditë për borxhin e akumuluar.
“Në vitet e kaluara vendi pa investime në infrastrukturë, investime në rrugë dhe hekurudha, në korridoret 8 dhe 10, ndërtimin e rrugëve rajonale e lokale, gazifikimin dhe për shumë projekte të tjera. Manipulimet e opozitës shkojnë aq larg, sa edhe regjistrimin e letrave me vlerë, që iu ka ardhur afati i pagesës, i quan si borxh i ri”,- kundërpërgjigjen nga Ministria e Financave.
