Shkup, digjen dy automjete, policia heton nëse ishte zjarrvënie e qëllimshme
02.11.2016 12:03
Dy automjete u përfshinë nga zjarri tridhjetë minuta pas mesnate në parkingun e bulevardit "Vidoe Smilovsi Bato", në lagjen e Lisiçe e Re...

Në incidentin nuk ka të lënduar, përpos që janë djegur automjetet, njëri i tipit xhip "Grand shiroki" në pronësi të G. D. (1978) dhe tjetri "Fiat uno" e A. M. (1983), që të dyja me targa të Shkupit. Qytetarët e kësaj ane janë të habitur me rastin në fjalë dhe thonë se nuk dinë asgjë se si ka ndodhur zjarri.
“Unë jetoj në ndërtesën fqinje, këtu jeton djali im, zjarrvënia ka ndodhur vonë, pas orës 12 pas mesnate. Çka është puna nuk e di, vetëm e pamë se vetura është në flakë, asgjë tjetër”,- deklaroi një qytetar.
“Asnjëherë nuk ndodh diçka në mënyrë të rastësishme, të paktën sipas njohurive të mija. Tek pjesa jonë, aty ku jam unë, s’ka absolutisht asgjë, gjithçka është në rregull”,- tha një qytetare.
“Jo jo, nuk kam dëgjuar asgjë, asnjë eksploziv. Po, jetojmë këtu afër, por nuk dimë asgjë. Tash po e shohim edhe ne”,- theksoi një qytetare.
Policia po kryen ekspertizë për arsyet e rënies së zjarrit. Ndërkohë, jozyrtarisht, bëhet fjalë për automobilin e një pronari të njohur të restoranteve zinxhir të ushqimeve të shpejta në Shkup. Sipas dëshmitarëve, pronari në fjalë dyshon në persona të cilët kohë të gjatë e kanë kërcënuar dhe i kanë kërkuar reket.
BELINDA KOKA-ADEMI
