Boshatiset “xhungla” në Calais, largohen edhe fëmijët e fundit
Autoritetet franceze nisën sot në mëngjes transferimin edhe të fëmijëve të fundit të mbetur në kampin e refugjatëve në Calais...

Autoritetet franceze nisën sot në mëngjes transferimin edhe të fëmijëve të fundit të mbetur në kampin e refugjatëve në Calais, i cili tashmë mund të konsiderohet i mbyllur plotësisht.
Rreth 1.500 fëmijë strehoheshin në të ashtuquajturin “xhungla”, për shkak të rrethanave tepër të rënduara në të cilat jetonin refugjatët e ardhur nga vendet e luftës.
Transporti i fëmijëve të pashoqëruar nga prindër u bë me autobusë për në qendrat e pritjes anembanë vendit, ndërsa vendi ku ishte ngritur kampi është mbushur prej një jave me buldozerë që kanë sheshuar gjithçka.
Fati i fëmijëve mbetet i paqartë, por autoritetet franceze i kanë pajisur ata me dokumente dhe kanë njoftuar se asnjë aplikim i ri për transferim në Britaninë e Madhe nuk do të procesohet në Calais. Rastet e këtyre fëmijëve do të shqyrtohen individualisht nga zyrtarë britanikë, sapo të kenë mbërritur në qendrat e pritjes nëpër Francë.
Deri më tani, Mbretëria e Bashkuar ka marrë 270 fëmijë, të cilët kanë të afërm në Mbretërinë e Bashkuar ose konsiderohen veçanërisht të pambrojtur. E ndërsa ata u kanë ikur luftës dhe varfërisë në vendet e tyre të origjinës, skenat e shëmtuara i kanë shoqëruar edhe në Europë.
Të martën në mbrëmje, policia ka ndërhyrë për të shuar një grindje mes 100 personave, të krishterë, nga Eritrea, dhe adoleshentë myslimanë afganë, që u përleshën me sende të forta mes tyre.
LEUNORA KALIQI
